Shqipëria

Mogherini: Duhet inkurajim i fortë për reforma të mëtejshme

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini ka nisur takimet në Tiranë një ditë pas BE-ja rekomandoi hapjen e negociatave.

Ajo fillimisht është pritur nga presidenti  i Shqipërisë, Ilir Meta ku ka thënë se Bashkimi Evropian jep një inkurajim të fortë për reforma të mëtejshme, përcjell albinfo.ch.

Ajo pas këtij takimi në këmbë ka shkuar në kryeministri, ku pas takimit me kryeministrin Edi Rama ka mbajtur një konferencë të përbashkët.

Rama ka thënë se dhënia e rekomandimit i ka dhënë Shqipërisë një status të ri shoqëror.

“Dje morëm një provim të stërvështirë, por sot nuk ka më asnjë minutë për të festuar pasi duhet nisur menjëherë puna e gjatë për të ecur sa më shpejtë drejt marrjes së diplomës së anëtarësimit. Ky është fundi i një faze dhe fillimi i një tjetre edhe më të vështirë. Kapitulli historik që mbyllën dje ia ka lënë sot vendin një tjetër kapitulli historik që mbetet për tu shkruar”, ka thënë ai.

Ndërsa Mogherini ka thënë se kjo nuk është meritë e njërës apo partisë tjetër, por është rezultat i punës së përbashkët. “Nuk ndodh në historinë e BE-së që rrugëtimi i BE-së të jetë përdorur nga një parti ose tjetrën. Kjo është përpjekje kombëtare. Dhe shoh mjaft unitet kur bëhet fjalë për aspirata. Besoj se është në interes të shumicës dhe pakicës, qeverisë e opozitës për të bashkuar forcat dhe hedhur hapat për reformat që janë kyçe për procesin në vijim”, ka thënë ajo.