Shqipëria

Mogherini thotë se integrimi i Shqipërisë nis në vitin e ardhshëm

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini ka pritur në një takim ministrin e Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, ku edhe ka konfirmuar angazhimin për integrimin e Shqipërisë në BE dhe rëndësinë e reformave që Shqipëria po kryen, sidomos ajo në drejtësi.

Ajo ka përgëzuar institucionet shqiptare që kanë nisur këtë reformë dhe ka garantuar për vijimin e mbështetjes nga KE për implementimin e saj.

“Jemi dakord që viti 2018 do të jetë një mundësi unike për rajonin në tërësi dhe Shqipërinë, që të përparojë në rrugën e integrimit. Jam e sigurt se presidenca bullgare e BE-së do të punojë ngushtë me rajonin. Jam e bindur se Shqipëria mundet dhe do t’i përdorë 6 muajt e ardhshëm për të bërë hapa kyçe”, ka thënë Mogherini.

Ndërkohë, ministri Bushati u shpreh se viti 2018 do të jetë një vit vendimtar për Shqipërinë.