E-Diaspora

“Moti i keq harrohet në shtëpinë e mikut”

Ueli Leuenberger: Si unë, miqtë e mi shqiptarë në Zvicër, punëtorët emigrantë dhe refugjatë, e kanë paramenduar Kosovën, pas çlirimit të saj, dhe pas pavarësisë, shumë të ndryshme nga ajo që ne shohim sot...

Të pavarur për dhjetë vjet, të liruar nga pushtimi prej 19 vjetësh, shqiptarët kanë shumë arsye për të festuar. Pas kaq shumë sakrificash, kaq shumë poshtërimesh, kaq shumë vdekjesh, aq shumë të pagjetur, aq shumë të plagosur, kaq shumë lot, pas aq shumë shkatërrimesh … pavarësia e Kosovës u shpall më në fund, një dekadë më parë.

Të mos jesh nën thundrën e një ushtrie, e një policie dhe një administrate që është armiqësore ndaj popullatës me shumicë shqiptare, ne vetëm mund të mirëpresim këtë ngjarje historike me rëndësi të madhe.

Kam ndarë një luftë të gjatë të popullit shqiptar që nga fundi i viteve shtatëdhjeta, duke u angazhuar në krahun e tyre. Për gati dyzet vjet, unë u përpoqa për të dhënë kontributin tim më të mirë duke luftuar për të drejtat kombëtare dhe të drejtat e njeriut në Ballkan si dhe për të drejtat e emigrantëve shqiptarë në Zvicër. Festoja me kënaqësi të madhe gëzimin dhe pavarësinë me bashkësinë shqiptare të Zvicrës.

Në dyzet vitet e fundit, më kujtohet sidomos, sa herë përmes bisedave tona “e rindërtonim botën së bashku”.

Si unë, miqtë e mi shqiptarë në Zvicër, punëtorët emigrantë dhe refugjatë, e kanë paramenduar Kosovën, pas çlirimit të saj, dhe pas pavarësisë, shumë të ndryshme nga ajo që ne shohim sot. Kur them ndryshe, dua të them: më afër idealeve që na kanë udhëhequr në angazhimin tonë ndaj çështjes shqiptare. Situata aktuale brengos shumë nga miqtë e mi, dhe ajo më brengos edhe mua.

Unë e di se nga Zvicra, kjo mund të duket pak më e lehtë për të kritikuar keqfunskionimin, deficitin demokratik, autoritarizmin, korrupsionin, mungesën shpirtërore dhe të veprimeve për të mirën e përbashkët të qytetarëve të Kosovës. Edhe pse rrezikoj të ofendoj disa nga shokët e mi të vjetër, unë nuk mund të hesht dhe të injoroj atë që po ndodh në këtë vend me të cilin ndihem aq i afërt dhe të ciin vazhdoj ta mbaj në zemrën time.

I uroj Kosovës, popullit të saj dhe udhëheqësve të saj politikë të të gjitha ngjyrave politike, që të arrijnë të zhvillojnë me sukses ekonominë e cila do t’i ofronte një të ardhme të vërtetë rinisë së saj, duke krijuar vende pune. Unë shpresoj që udhëheqësit e të gjitha bindjeve politike të kenë sukses në forcimin e strukturave dhe institucioneve demokratike; që ata të kenë sukses në luftimin e korrupsionit në mënyrë efektive; që ata të arrijnë të forcojnë të drejtat sociale dhe të gjejnë mënyrën dhe mjetet për t’u dhënë minoriteteve vendin e tyre të ligjshëm në shoqëri dhe në jetën e përditshme.

Është në dritën e progresit në këto fusha të ndryshme që do të zhvillohet forcimi i lidhjeve të miqësisë dhe solidaritetit me Republikën e Re të Kosovës.

U bëftë Kosova një shtëpi e vërtetë miqësore për të gjithë popullsinë e saj. Sepse siç thotë fjala e urtë shqiptare: “Moti i keq harrohet në shtëpinë e mikut”.

Nuk mund të hesht për atë që po ndodh në Kosovë

Edhe pse rrezikoj të ofendoj disa nga shokët e mi të vjetër, unë nuk mund të hesht dhe të injoroj atë që po ndodh në këtë vend me të cilin ndihem aq i afërt dhe të ciin vazhdoj ta mbaj në zemrën time.

 

(Autori është themelues i Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë; ish deputet i Parlamentit Nacional të Zvicrës)