CH-Ballkani

MPB: 46.457 persona janë kthyer në Kosovë që nga 2013-a

"Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, është duke i zbatuar marrëveshjet për ripranim, të cilat janë nënshkruar me vende të ndryshme dhe gjithashtu Ligjin për ripranim"

46 mijë e 457 persona janë riatdhesuar në Kosovë që nga viti 2013 deri në shkurt të këtij viti, ka bërë të ditur për KTV-në Ministria e Punëve të Brendshme. Sipas saj, vendet e BE-së, veçanërisht Gjermania, Zvicra, Franca, Suedia, e Austria janë duke vazhduar t’i kthejnë shtetasit e Kosovës, të cilët janë duke qëndruar në mënyrë ilegale në këto vende.

“Procesi i ripranimit deri më tani ka funksionuar mjaft mirë dhe kjo është reflektuar edhe në raportin për Kosovën të Komisionit Evropian dhe raportet tjera nga institucione dhe organizata ndërkombëtare. Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, është duke i zbatuar marrëveshjet për ripranim, të cilat janë nënshkruar me vende të ndryshme dhe gjithashtu Ligjin për ripranim”, ka thënë për KTV-në Zyra për informim e MPB-së.

Kosova ishte përfshirë nga një valë e madhe e ikjeve në vitin 2013 dhe 2015.