Kosova

Mustafa thotë se Haradinajt ia bëri të qartë qëndrimin për bisedimet

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka sqaruar për takimet që ka pasur me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se kanë diskutuar për qëndrimet e LDK-së për dialogun me Serbinë, qëndrime këto të cilat i ka bërë publike, përcjell albinfo.ch.

Përndryshe, Kryesia e LDK-së ka dalë me qëndrim se procesi i dialogut nuk mund të udhëhiqet nga institucione jolegjitime dhe përtej kompetencave kushtetuese.

“LDK është unike në çështjet madhore, siç është edhe pozicionimi i saj lidhur me fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë. Të gjitha qëndrimet e LDK-së janë të koordinuara me Kryesinë e LDK-së, me nënkryetarët e LDK-së, me sekretarin e përgjithshëm, me shefin e Grupit Parlamentar, me nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e LDK-së dhe me kryetarët e degëve të LDK-së”, ka shkruar Mustafa.