Kosova

Mustafa: Vonesat në formimin e institucioneve po ndikojnë në ekonomi  

Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa,  ka thënë se duhet të bëhet përpjekje të themelohen sa më shpejt institucionet sepse ka ngecje edhe në fushën e ekonomisë

Në tryezën me gratë në biznes me temën “Roli i Kooperativave në zhvillimin e bizneseve”, organizuar nga Forumi i Gruas i LDK-së, Mustafa ka thënë se stabiliteti politik duhet të ndikojë në atë ekonomik nga se, siç tha ai, për këtë kanë punuar shumë.

Por Mustafa theksoi se lufta kundër korrupsionit është faktor kyç për investitorët e jashtëm.

“Qasja në treg vazhdon të jetë problem për fermerët, pastaj qasja në burimet e financimit sepse kushtet e kreditimit janë të pabarabarta të fermerëve tanë me ata të BE-së. Problem tjetër është përpunimi i lëndëve bujqësore, mungesa e depove për ruajtjen e këtyre prodhimeve”, është shprehur Mustafa. Kjo ndodh “megjithëse vendi ka legjislacionin në harmoni me BE-në dhe për këtë nuk do të duhej të kemi problem për bashkëpunimin me shtetet anëtare”, ka shtuar ai.

“Unë nuk mund të flas për të ardhmen, por jam i sigurt se reformat që kemi bërë ne do të japin rezultate, sepse këto politika kanë mundësuar që të jemi të barabartë me të gjitha bizneset në rajon dhe Evropë”, ka thënë Musrafa.