Kultura

Nata e përrallave shqip

Rreth 60 fëmijë dhe të rritur ia kishin mësyrë Ikubo-s (Biblioteka ndërkulturore në Olten) për të qenë pjesë e Natës Zvicerane të tregimit të përrallave “Pizi hat Geburstag”.

Halime Istrefaj (në foto) e kishte shkruar rrëfimin e saj në gjuhën e saj amtare, shqipe. Vajza e saj 20 vjeçare, e kishte përpiluar pastaj atë në gjuhën gjermane ndërsa vajza tjetër, 16 vjeçare e kishte bërë ilustrimin e tekstit.

Pasi që anëtarja e kryesisë së Ikubo-s, Claire Tobler u kishte lexuar fëmijëve të shumtë të moshave nga 4 vjeç e më lartë një rrëfim magjepsës në gjuhën gjermane, ai iu përcoll atyre edhe në gjuhën shqipe nga rrëfimtarja entuziaste, Halime Istrefaj.

Me mimikën e saj, gjestikën, tabllot dhe objekte të vogla ajo shoqëronte tingujt e njhë gjuhe që, për shumë nga të pranishmit, ishte e re. Në përfundim të natës së rrëfimeve pati një befasi ditëlindjeje për të gjithë.