Integrimi

Nazim Rexhepi, kandidat potencial për Parlamentin e Kantonit të Bernës

Më 25 mars të këtij viti Rexhepin e pret edhe një sfidë e radhës. Ai, si kandidati i vetëm me origjinë shqiptare do të synojë një ulëse në Parlamentin Kantonal të Bernës

Nazim Rexhepi, sot 50 vjeç në qytezën e bukur Langnau im Emmental të Zvicrës,  është vendosur në fund të viteve të 80-ta.Vendlindja e tij e origjinës është Malisheva e Gjilanit.

Ai, në këtë fshat tri-katër kilometra në dalje të komunës së Gjilanit, kreu me sukses të shkëlqyer tetëvjeçaren.

Si një fëmijë i shkathët e plot ambicie për të ndërtuar një të ardhme të ndritur më 1982 regjistrohet në Shkollën e Mesme Ekonomike “Marin Barleti” të Gjilanit.

Nazimi edhe këtu dallohet si në mësime ashtu dhe në organizimin e aktiviteteve të shumta rinore, qofshin ato të karakterit kulturor apo sportiv.

Veç kësaj si një i ri entuziast e plot vullnet për punë ndihmonte edhe organizimin e manifestimeve të ndryshme në nivel komune.

Ai, me gjithë prirjet e theksuara për arkitekturë që për kohën ishte degë e re dhe me mungesë kuadrosh. pas përfundimit të shkollës së mesme ekonomike vendos të studiojë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, ngase në këtë fushë kishte fituar edhe njohuritë bazë.

Babai i tij Ahmet Rexhepi një mërgimtar i hershëm dhe arsimdashës i njohur i kësaj ane me tërë qenien e mbështet Nazimin në realizimin e projekteve të tij.

Pikërisht në periudhën kur pritej finalizimi i përpjekjeve të tij për t’u pajisur me diplomë të ekspertit të ekonomisë në Kosovë, përkeqësohet gjendja në të gjitha fushat, e sidomos në arsim.

Pushtuesit serbë duke vërejtur arsimimin e shpejtë dhe të hovshëm të shqiptarëve në Fakultete dhe Shkolla të Larta të Universitetit të Prishtinës, diferencojnë dhe përjashtojnë nga procesi mësimor profesorët më eminent të këtij institucioni të lartë të shkencës dhe të kulturës.

Jo vetëm kaq. Nëpërmjet proceseve të montuara burgosin dhe izolojnë me qindra studentë dhe profesorë. Kjo gjendje e krijuar e demotivon tepër Rexhepin dhe ai pa menduar gjatë merr rrugën e kurbetit.

Nazmi Rexhepi edhe pse mori me vete përjetime të hidhura të atyre viteve të rënda dhe të vështira për asnjë çast nuk u zmbraps.

Ai, disa vjet me radhë punoi si kryepunëtor në firmën e njohur RSAG që merrej me riparimin e rrugëve në kantonin e Bernit. Edhe pse me dëshira të shumta për sport e rekreacion ato i kufizoi dukshëm.

Mënyra e jetesës punë-shtëpi dhe anasjelltas s’ishte fare e lehtë për një të ri mërgimtar, si Nazim Rexhepi, cili në fëmijërinë e tij të hershme kishte planifikuar një jetë krejt ndryshe.

Mirëpo kusht i vetëm për të ecur kah një e ardhme më premtuese ishte përvetësimi i duhur i gjuhës gjermane.

Rexhepi, nga të ardhurat e tij mujore ndihmonte familjen dhe kryente detyrimet e tij ndaj vendlindjes, duke ndihmuar materialisht shoqata dhe fonde të cilat vepronin në dobi të çlirimit të Kosovës.

Ditët e vikendit i kalonte në shtëpinë e një mësuesi me përvojë të gjermanishtes, ku merrte leksionet e para në këtë gjuhë. Këtë nxënie dijesh tek ky mësues e këmbente me orë pune në kopshtin dhe rregullimin e lulishtes së tij.

Pas një përgatitje solide, Rexhepi iu nënshtrua edhe kurseve të ndryshme të gjuhës gjermane të organizuara në shkolla të specializuara të kantonit të Bernës

Ai, pas një viti e gjysmë pajiset me certifikatë të njohjes së nivelit të avancuar. Kjo i mundëson edhe frekuentimin e ligjëratave dhe seminareve të ndryshme në fushën e sindikalizmit.

Më 1993 krijon marrëdhënie pune në sindikatën GBI e shndërruar më vonë nëUNIA-Oberaargauemmental të komunës Langnau im Emmental.
Ai këtë marrëdhënie të rregullt pune e ruan edhe sot, duke mbrojtur me dinjitetet të drejtat e punëtorëve ndërtimtarë.

Kurse më 2004 në kuadër të komunës Langnau im Emmental, ai emërohet anëtar i komisionit për ndërtim dhe rindërtim. Këtë detyrë e kryen me mjaft sukses deri më 2007.

 

Rexhepi, i suksesshëm edhe në politikë

 

Rexhepi përveç aktivitetit të suksesshëm sindikal tregohet i frytshëm edhe në politikë. Ai, më 2007me socialdemokratët fiton postin e këshilltarit komunal në Langnau im Emmental të Zvicrës Qendrore.

Falë besimit të votuesve të kësaj komune këtë pozitë e ruan edhe në dy palë zgjedhje të tjera të radhës.

Ai, si ithtar i vërtetë i proceseve demokratike çmohet jo vetëm nga bashkëkombësit e tij, por edhe nga shokë e miq të shumtë zviceranë.

Po ashtu njihet edhe si bashkëshort dhe prind i mrekullueshëm. Familja Rexhepi është e integruar plotësisht dhe është bashkëpunuese me të gjitha komunitetet e tjera që jetojnë dhe veprojnë në këtë pjesë të Zvicrës.

Më 25 mars të këtij viti Rexhepin e pret edhe një sfidë e radhës. Ai, si kandidati i vetëm me origjinë shqiptare do të synojë një ulëse në Parlamentin Kantonal të Bernës.

Bashkatdhetarë të nderuar, me kusht që të realizohet kjo mundësi jona e rrallë, të mobilizohemi ashtu siç na ka hij dhe votën tonë ta çojmë tek Nazim Rexhepi,i cili interesat e komunitetit tonë dhe të të gjithë mbështetësve të tij do t’i përfaqësojë në mënyrën më të mirë të mundshme.