Shqipëria

Ndalimi i importimit të veturave para vitit 2009 me pasoja të mëdha

Sipas të gjitha studimeve del, qe jo më pak se 87% e ndotjes mjedisore të karburanteve vjen nga cilësia jashtë çdo standardi te lejueshëm në qarkullim dhe më pak se 13% vjen nga teknologjia e mjeteve motorike

Në Shqipëri do të ndalohen importimi i veturave të prodhuara para vitit 2009. Megjithatë, kjo do të sjellë pasoja të rënda për qytetarët, bizneset dhe ekonominë kombëtare.

Sipas Konfindustria kjo masë e marrë si qëllim për mbrojtjen e mjedisit nuk qëndron në Shqipëri, pasi 87 për qind e ndotjes vjen nga përdorimi i karburanteve dhe mjetet motorike.

“Arsyetimi i përfaqësuesve të ekzekutivit, që masa e mësipërme ka si qellim mbrojtjen e mjedisit, nuk qëndron në rastin e Shqipërisë. Sipas të gjitha studimeve del, qe jo më pak se 87% e ndotjes mjedisore të karburanteve vjen nga cilësia jashtë çdo standardi te lejueshëm në qarkullim dhe më pak se 13% vjen nga teknologjia e mjeteve motorike. Cilësia e dobët, që vjen nga përdorimi i sasive shtesë të palejueshme të karburantet të tregtuara, është arsye thelbësore e përvetësimit edhe të mbi 150 milionë euro taksa të paguara nga qytetarët dhe biznese”, thuhet në deklaratën e Konfindustria, përcjell albinfo.ch.

Sipas Konfindustrisë në kushtet e Shqipërisë vendime të tilla të rëndësishme sikurse është përcaktimi i afatit kohore, 10 vjeçar të ndalimit të importit të makinave, jo vetëm nuk japin zgjidhje për ndotjen mjedisore, por mund të prodhojnë pasoja negative prej dhjetëra milionë euro/vit kosto shtesë të papranueshme për qytetarët dhe bizneset.

Për të ulur nivelin e ndotjes, Konfindustria shton se duhet filluar nga përmirësimi me një dorë të hekurt të cilësisë së standardit të karburanteve që qarkullojnë në tregun vendor.