Shqipëria

Ndizet sërish debati mbi Skënderbeun, ishte apo s’ishte hero i shqiptarëve

Historianët janë ndarë, teksa disa thonë se ka qenë hero i të gjithë shqiptarëve, derisa disa të tjerë thonë se ka luftuar kundër myslimanëve

Në Shqipëri sërish ka filluar debati për figurën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

 

Historianët janë ndarë, teksa disa thonë se ka qenë hero i të gjithë shqiptarëve, derisa disa të tjerë thonë se ka luftuar kundër myslimanëve, përcjell albinfo.ch.

Ky debat është zhvilluar në televizionin “News24” mbi islamin dhe Skënderbeun.

Historiani Olsi Jazexhi është shprehur se Skënderbeu ka qenë simbol i krishterimit. “Skënderbeu ka bërë masakra ndaj myslimanëve. Skënderbeu ka qenë një figurë që është pranuar me vështirësi në mesin e shqiptarëve, pasi Skënderbeu është parë si simbol i krishterimit. Skënderbeu në atë kohë ka bërë masakra ndaj myslimaneve që i ngjajnë masakrave të Mlladiq në Bosnjë”, u shpreh historiani Jazexhi, deklaratë që ka shokuar opinionin në Shqipëri.

Historiani dhe akademiku Pëllumb Xhufi deklaroi se Skënderbeu nuk ka qenë përfaqësues i krishterimit dhe kurrsesi xhelat i myslimanëve. “Skënderbeu nuk ka qenë kalorës i krishterimit. Skënderbeu nuk ishte një xhelat i myslimanëve, kur ai erdhi ndezi kryengritjen, pasi në atë kohë nuk kishte mysliman në Shqipëri, popullsia masive ishte e krishterë. Regjistrat e vitit 1431 nuk japin fare mysliman. Në vitin 1533 fillon të zbulohen regjistra mysliman. Fetarisht Skënderbeun është e vështirë ta vendosësh diku, pasi ai edhe në majë të kokës, mbante simbol pagan , nuk ishte kalorës i krishterimit”, u shpreh Xhufi.

Ndërkohë, Imami Armand Aliu ka thënë se Skënderbeu nuk mund të jetë hero i tyre, sepse ai ishte një armik i islamit. “Skënderbeu është armik i myslimanëve. Myslimanët nuk mund të kenë hero të tyre një armik të myslimanit siç ka qenë Skënderbeu”, u shpreh ai.