Bota

Ndryshimi i klimës, më shumë raste vdekjesh

Vdekshmëria për shkak të sëmundjeve koronare të zemrës është rritur ndërmjet viteve 2000 dhe 2010 mesatarisht dhjetë deri 15 përqind.

40.3 grad ishte temperatura para dhjetë ditësh në Kitzingen të Bavarisë.  Rekord vape.

Madje në rajonet alpine 1000 meter mbi nivelin e detit termometri tregonte më shumë se 30 gradë. Për këtë fundjavë meteorologët e Shërbimit Meteorologjik gjerman presin temperaturara deri në 38 gradë.

Temperatura të tilla të larta, valë nxehtësie dhe ndryshime ekstreme të temperaturës brenda një kohë të shkurtër në Gjermani përbëjnë gjithnjë e më shumë rrezik për shëndetin.

Kjo rezulton nga një studim i Shërbimit Meteorologjik gjerman (DWD) me porosi të Agjencisë Federale për Mjedisin (UBA). Pasojat e kësaj vere të nxehtë nuk gjejnjë pasqyrim në të.

Kështu vdekshmëria për shkak të sëmundjeve koronare të zemrës është rritur ndërmjet viteve 2000 dhe 2010 mesatarisht dhjetë deri 15 përqind.

Periudhat e gjata dhe intensive të vapës ngarkojnë sistemin kardiovaskular.

Sipas studimit valët e të nxehtit, që kanë qenë më të gjata dhe më të nxehta se mesatarisht, kanë si pasojë vdekshmëri më të lartë.

Të prekur veçanërisht janë të moshuarit apo njerëzit, që vuajnë nga sëmundje të caktuara kronike.

UBA dhe DWD llogarisin që dëmet për shëndetin do të jenë më të dukshme në zonat tashmë shumë të ngrohta në Gjermaninë jugore dhe perëndimore.

Aktualisht ka mënyra të ndryshme për t’iu përshtatur valëve të të nxehtit.

Me anë të sistemit të paralajmërimit të nxehtësisë, nëpërmjet DWD (Internet dhe app për motin) popullsia mund të përgatitet për periudha më të gjata me ditë të nxehta.

E rëndësishme është jo vetëm përshtatja me motin jashtëzakonisht të nxehtë, por edhe në rritjen e ndryshueshmërisë të motit, porosisin DWD dhe UBA.

Për të përballuar më mirë pasojat shëndetësore të ndryshimeve klimatike, autoritetet këshillojnë ushqim të shëndetshëm dhe të balancuar, si dhe shumë lëvizje, por jo gjatë periudhave akute të nxehtësisë.

Edhe kufizimi i konsumit të alkoolit dhe mospirja e duhanit mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut dhe për të përballuar më mirë vapën.