Bota

Në 2045-ën, mbi 20 për qind e popullsisë në botë do të jetë me mbipeshë

Sipas një hulumtimi të zhvilluar nga kompania e kujdesit shëndetësor në Danimarkë, bëhet e ditur se 22 për qind e popullsisë në botë deri në vitin 2045 do të jetë me mbipeshë.

Hulumtimi i paraqitur në Kongresin Evropian të Obezitetit parashikon se më shumë se një e pesta e popullsisë botërore brenda 27 vjetësh do të ishin obezë, ndërsa në të njëjtën kohë një e treta e popullsisë do të preket nga diabeti Tip 2, përcjell albinfo.ch.

Alan Moses dhe ekipi i tij nga njësia për hulumtim dhe zhvillim të Novo Nordisk, kompani daneze e kujdesit shëndetësor, ka zhvilluar hulumtimin duke u bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe popullsisë së shteteve. Moses tha se rritja e numrit të obezitetit, përveç vështirësive mjekësore, do të ketë kosto të lartë për vendet.

Një hulumtim i zhvilluar në vitin 2016 në mbarë botën zbuloi se numri i obezëve tek të rriturit ishte dyfishuar që nga viti 1975.