Bota

Në cilat shtete, cilat rregulla vlejnë për pasaportat e dyfishta?

Kohëve të fundit në Gjermani është hapur debati për pasaportat e dyfishta. Por si e rregullojnë këtë çështje shtete të ndryshme të BE-së?

Në Gjermani, CDU do ta kufizojë të drejtën për mbajtjen e dynënshtetësisë.  Grindja politike për këtë temë ka hyrë në një raund të ri. Por si janë rregullat për nënshtetësinë e dyfishtë në vende të tjera të BE-së? Deutsche Welle ka bërë një krahasim të tyre

Gjermania

A mundet një njeri të ndihet i lidhur me dy vende? A e pengon identiteti binacional integrimin? A janë dy nënshtetësitë pengesë në luftën kundër terrorizmit? Ende disa muaj para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani kjo temë është kthyer në mollë sherri. Me grindjen me Turqinë po nxehet edhe më shumë debati edhe mbi nënshtetësinë e dyfishtë.

Parimisht Republika Federale e Gjermanisë është restriktive sa i përket nënshtetësisë së dyfishtë: parimi “i shmangies së nështetësisë së disafishtë” parasheh, që gjermanët të heqin dorë nga nënshtetësia e tyre, nëse duan të marrin një tjetër nënshtetësi. Përjashtime ka për shtetasit e BE-së dhe shtetasit zviceranë si dhe për fëmijët dhe nipërit e migrantëve. Marrja e nënshtetësisë gjermane sipas parimit të vendlindjes (“ius soli – e drejta e tokës) vlen vetëm me kufizime. Në Gjermani ndërkohë jetojnë rreth 4,3 milionë njerëz me dy ose më shumë nënshtetësi. Pothuajse një në pesë turq në Gjermani ka dy pasaporta atë gjermane dhe atë turke.

Kristiandemokratët (CDU) duan ta ashpërsojnë të drejtën e nënshtetësisë. Qysh në kongresin e partisë në dhjetor politikanët e unionit konservator nisën debatin për kufizime lidhur me dynënshtetësinë. Objekt i debatit është i ashtuquajturi “detyrimi opcional”: fëmijët me prindër të huaj për një kohë të gjatë i merrnin të dyja nënshtetësitë, por në moshën 23 vjeçare ata duhej të vendosnin, se cilën nënshtetësi duan të mbajnë. Më 2014 koalicioni me bazë të gjerë (CDU-SPD) ra dakord, që të lindurit dhe të rriturit në Gjermani të lejohen t’i mbajnë të dyja pasaportat.

Tani CDU, sipas informacioneve të “Der Spiegel” në luftën elektorale do të mobilizojë kundër nënshtetësisë së dyfishtë. “Ne duhet ta ndryshojmë politikën e rregullave përjashtimore”, tha kryetarja e rrjetit të CDU.së për integrimin, Cemile Giousouf, në intervistë për Spiegel. Në një dokument që do të integrohet në programin elektoral, thuhet, se nipërit e migrantëve të brezit të parë duhet të marrin vetëm pasaportën gjermane. Kancelarja Angela Merkel i pati refuzuar këto kërkesa në dhjetor. Sipas informacionit të Spiegel, tani ajo është e gatshme që të mbështesë rregullat e reja. Arsye për këtë ndër të tjera janë edhe sulmet e presidentit Erdogan ndaj politikës gjermane dhe fakti, që shumë turq, që jetojnë në Gjermani identifikohen me presidentin.

Franca

Shumica e vendeve të BE-së ndërkohë e lejojnë dynënshtetësinë – edhe Franca. Shtetasit francezë qysh nga viti 1973 lejohen të kenë disa nënshtetësi. Në vitin 2009 Franca doli kundër nenit të parë të “Marrëveshjes europiane për kufizimin e disa nënshtetësive dhe detyrimin ushtarak në disa shtete”. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është, “që të kufizohet numri i rasteve me disa nënshtetësi ndër vendet që e nënshkruajnë marrëveshjen”. Në Francë vlen pa kufizim “ius soli”, pra e drejta e tokës: Kush lind në Francë, merr nënshtetësinë franceze – pavarësisht nacionalitetit të prindërve.

Suedia

Prej kohësh në këtë vend nordik që është vend emigracioni vlen parimi i “kufizimit të nënshtetësisë së dyfishtë” – ngjashëm si në Gjermani. Që nga viti 2001 megjithatë një ligj i ri lejon, që shtetasit suedezë të aplikojnë për një nënshtetësi tjetër pa e humbur nënshtetësinë suedeze. Po ashtu emigrantët jo detyrimisht duhet të heqin dorë prej nënshtetësisë së tyre nëse aplikojnë për nënshtetësinë suedeze.

Polonia

Në Poloni shtetasit polakë nuk mund të pranohen njëkohësisht edhe si shtetas të një vendi tjetër. Megjithatë tolerohet posedimi i dy pasaportave. Sidoqoftë shtetasit polakë nuk mund t’u shmangen detyrimeve shtetërore duke iu referuar një nënshtetësie tjetër.

Spanja

Parimisht Spanja e lejon dynënshtetësinë e migrantëve nga Portugalia, Andorra, Filipinet, Guenia Ekuatoriale dhe vendet e Amerikës Latine, me të cilat ka nënshkruar marrëveshjet përkatëse. Migrantë nga vende të tjera në bazë të kushtetutës duhet të heqin dorë nga nënshtetësia e origjinës, nëse aplikojnë për nënshtetësinë spanjolle. Në të kundërt shtetasve spanjollë u lejohet nënshtetësia e dyfishtë, nëse ata brenda tre vjetësh u konfirmojnë autoiteteve, që duan ta mbajnë pasaportën spanjolle. Sipas vendit janë të ndryshme rregullat në Europën Jugore. Monako dhe Andorra nuk e lejojnë nënshtësinë e dyfishtë, ndërsa në Portugali ajo është e lejueshme.