Tematike

Në Ditën e Holokaustit: Për kujtimin dhe dinjitetin njerëzor

“Sot është saktësisht një vit nga dita kur të mbijetuarit e kampit shfarosës Aschwitz-Birkenau dhe përfaqësues qeverish nga e gjithë bota në arealin e ish kampit përkujtuan viktimat e regjimit tëdhunshëm nacionalsocialist”, thuhet në fillim të mesazhit përshëndetës të presidentit të federatës, Johann N. Schneider-Ammann në ditën e kujtimit të viktimave të holokaustit, më 27 janar 2016.

Që nga çlirimi i kampit kanë kaluar më shumë se 70 vjet. Është me rëndësi të theksohet se të mbijetuarit me atë rast (në përvjetorin e 70, vitin e kaluar) ishin në qendër të vëmendjes pasi që ata janë dëshmitarët e fundit dhe në moshë të shtyrë kështu që së shpejti nuk do të ketë më asnjë në mesin tonë, i cili nga përvoja e vet e dhimbshme personale mund të thotë: «Ka ndodhur, unë e kam përjetuar mbi trupin tim dhe rrjedhimisht mund të ndodhë sërish. Rezistojuni fillimeve».

Arritja e çlirimtarëve, për ata pak robër të mbetur gjallë, e që ishin në shterrim të fuqisë, ishte një çlirim. Që atëherë, kuptimi i kësaj date, 27 janarit 1945 shkon larg më shumë se sa kujtimi i një ngjarjeje personale dhe simbolizon fundin e vuajtjes, nisjen e një fillimi të ri e të vështirë për të mbijetuarit dhe lindjen e gjakimit të ndjerë fuqishëm për një paqe të qëndrueshme. Kjo ka marrë kuptim universal për dhembjen e paimagjinueshme, të cilën njerëzit mund t`ia shkaktojnë njëri tjetrit.

71 vjet janë një kohë e gjatë. A ia dalin që të informojnë, të edukojnë dhe të sensibilizojnë këto manifestime përkujtimore që në këtë ditë mbahen në shumë vende? A kontribuojnë këto manifestime në ngritjen e një bote më të mirë, më paqësore, pa urrejtje dhe pa diskriminim? Unë druaj se edhe në të ardhmen do të ketë njerëz që e mohojnë holokaustin, e relativizojnë atë ose e «zbusin» dhe konstatoj se thirrje për urrejtje ndaj të huajve, antisemitizëm, diskriminim e dhunë, vazhdon të ketë edhe sot. Dhe megjithatë besoj fuqishëm në domosdonë për t`u angazhuar me vendosmëri për një botë në të cilën do të respektohet dinjiteti i të gjithë njerëzve. Dhe besoj fuqishëm në forcën e solidaritetit, humanitetit dhe të kujtimit, ka thënë në vazhdim presidenti.

Ne bëhemi sot bashkë sepse me vrasjen sistematike të miliona njerëzve të pafajshëm në mes të Evropës është hapur një plagë e madhe në një ind të ndjeshëm të botës, e cila ende nuk është shëruar», ka thënë Ammann. Ai ka përmendur edhe kontributin e Zvicrës për shpëtimin dhe integrimin e të mbijetuarve nga holokausti.

“Çfarë  ka ndodhur nuk mund të zhbëhet. Por ne mund të japim një shenjë për një botë në të cilën dinjiteti i njerëzve nuk do të jetë vetëm një floskulë por realitet i jetuar, për çdo ditë dhe në çdo vend”.

Sikur shumë vende të botës, edhe Zvicra i bashkohet shënimit të ditës së Holokausttit. Në vitin 2017 Zvicra do të marrë drejtimin e International Holocaust Remembrance Alliance (IHRA). Kandidaturën e ka mbeshtetur Këshilli Federal ndërsa 31 shtete të IHRA-s në nëntor 2015 e kanë pranuar kandidimin e Zvicrës.

Sonte në Yehudi Menuhin Forum në Bernë mbahet një mbrëmje përkujtimore për viktimat e holokastit ku do të marrin fjalën përfaqësues të parlamentit dhe të qeverisë, thuhet në fund të komunikatës

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/ne-diten-e-holokaustit-per-kujtimin-dhe-dinjitetin-njerezor/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.