Kosova

Në ditën e tretë të qeverisjes, Haradinaj i ofendon gazetarët

Haradinaj i ka thënë gazetares që të shkojnë më shumë në shkollë sepse nuk po e kuptojnë esencën, ndërsa menjëherë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës

Në ditën e tretë të detyrës së tij si kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj është përplasur me gazetarët në një konferencë për media, pasi atij nuk i ka pëlqyer pyetja rreth demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Haradinaj i ka thënë gazetares që të shkojnë më shumë në shkollë sepse nuk po e kuptojnë esencën, ndërsa menjëherë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.

Kryeministri u sugjeroi gazetarëve të kryejnë shkollë dhe të lexojnë më shumë.

Reagimi i kryeministrit erdhi pas një pyetje që iu bë lidhur me qëndrimin e SHBA-ve, për çështjen e Demarkacionit, ku mediat raportuan se SHBA-të kanë pohuar se ata do ta njohin vetëm versionin e tanishëm të demarkacionit dhe asnjë version tjetër.

E Haradinajt të cilit nuk i pëlqeu kjo pyetje, iu vërsul gazetarëve, duke i fyer se ata nuk dinë të lexojnë anglisht dhe s’po i kuptojnë gjërat si duhet.

“Kam respekt për media shumë besoni. Por shumica juaj, as nuk dini me lexu anglisht, as s’po dini me i kuptu çka kanë thanë. Problem është i juaji. S’kam ndonjë koment. Ju po raportoni pa e dit si raportoni, besoni. Shkoni më shumë në shkollë, këqyrni çka po thonë ata. E shoh unë çka kanë thanë, e kam lexu deklaratën e tyre”, tha Ramush Haradinaj.

Ndërkaq i menjëhershëm ishte reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili shprehet i  dëshpëruar me deklaratat e kryeministrit, i cili ironizoi me përgatitjen profesionale të gazetarëve.

“AGK e konsideron të papranueshëm veprimin e kryeministrit ndërkohë që deklaratat e bëra nga ai paraqesin ofendim ndaj gazetarëve në vend. Duke përcjell me shqetësim këtë deklarim të kryeministrit të ri, ne rikujtojmë se misioni i gazetarëve është që të bëjnë pyetje sa herë që ata kanë nevojë për përgjigje ndërkohë që përmbajtjen e pyetje nuk do të mund ta kontrollojë askush”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Me këtë rast, AGK kërkon nga kryeministri Ramush Haradinaj që të jetë bashkëpunues me gazetarë si dhe të punojë intensivisht në rritjen e bashkëpunimit me media si dhe transparencës së qeverisë.