E-Diaspora

Në festën e shqiptarëve, edhe këshilltari nga SVP

Në manifestim ishte i pranishëm anëtari i Asamblesë së Winterthurit, Josef Lisibach nga SVP dhe kryetari i Usterit, Martin Bornhauser

Të mërkurën, më 28 Nëntor u shënua përvjetori i 100 i pavarësisë së Shqipërisë edhe në Winterthur, respektivisht në lokalitetin Hettlingen. Ky jubile u organizua nga SHKA “Dardania” e Winterthurit.

Me një program të pasur kulturor artistik, “Dardania” i argëtoi të pranishmit e shumtë që kishin ardhur edhe nga kantonet tjera për të ndarë gëzimin me të tjerët për këtë përvjetor të veçantë të historisë sonë kombëtare.

Pas intonimit të himnit kombëtar i cili u këndua zëshëm nga të gjithë, publikun e përshëndetën Ramadan Morina dhe Albulena Cakolli të cilët edhe e moderuan këtë manifestim.

 

Edhe kryetari i kësaj shoqërie, Shefqet Cakolli, i përshëndeti dhe i falënderoi të gjithë ata që me prezencën e tyre e bënë këtë manifestim edhe më madhështor.

 

“Dardania”, prej rreth 18 vitesh prezanton para publikut zviceran dhe më gjerë në mënyrë të denjë kulturën, muzikën dhe traditat shqiptare.

Këtë manifestim e kishin nderuar edhe mysafirë të veçantë. Ishte i pranishëm anëtari i Asamblesë së qytetit të Winterthurit, Josef Lisibach nga partia e djathtë SVP, i cili përshëndeti të pranishmit, duke lexuar në gjuhën shqipe.

 

Ai u uroi të gjithëve festën dhe nuk e fshehu ngazëllimin dhe befasinë e tij për atmosferën e mirë dhe pjesëmarrjen kaq masive në një manifestim të tillë. 

 

Lisibach me fjalë miradije por dhe me nota humori, theksoi faktin se Zvicra si shtet ka shumë kualitete por “sa i përket futbollit, janë  sekondot, e sidomos ata me prejardhje shqiptare, që e bëjnë shtetin helvetik të krenohet para botës”.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe kryetari i komunës së Usterit, ndryshe mik i dëshmuar i shqiptarëve, Martin Bornhauser.

Këtë manifestim e përshëndetën dhe ua uruan të gjithëve festën edhe Sali Sefa, konsull i Kosovës në Zürich dhe këshilltari i Ministrisë për diasporë, Ahmet Asani.

Me një pjesë teatrale u paraqit edhe grupi teatror “Aktrimi”. Në kuadër të kësaj pjese këndoi edhe Yllka Zuzaku e cila emocionoi të pranishmit me interpretimin e saj.

Shoqëria “Dardania” si përherë, edhe kësaj radhe shkëlqeu në skenë. Programi i saj i pasur, me valle të zgjedhura dhe me veshje të bukura kombëtare u përcoll vazhdimisht me duartrokitje.

 

Grupi i rapsodëve dhe instrumentistëve me instrumente tradicionale, që është një veçanti e SHKA-së “Dardania” i dha edhe një sharm të posaçëm programit

Fëmijët në kuadër të kësaj shoqërie u paraqitën edhe me tri poezi.

Programi festiv vazhdoi deri në orët e vona të natës me valle e këngë të përcjella me daulle e me surla nga pjesëtarët e grupit muzikor të shoqatës.