Gastronomët shqiptarë në Zvicër

Më në fund, një sofër tradicionale shqiptare në Gjenevë

Restoranti “Leart”, njëkohësisht tradicional dhe modern, tregohet unik me aftësinë e tij për të shërbyer ushqime të kuzhinës shqiptare

Në zemër të qarkut Charmilles në Gjenevë, jo shumë larg nga stadiumi i famshëm i futbollit, Hysen Berisha dhe partneri i tij, Fahredin Muja, vendosën më në fund të hapin restorantin e tyre “Leart” (Avenue d’Aire 40) dhe të ofrojnë një meny me specialitete të kuzhinës tipike shqiptare. Në qoftë se pitja me mish dhe flija, të gatuara nga vetë gruaja e Hysenit, janë bërë gati ‘viktima’ të suksesit të tyre, ushqimet e tjera po aq tipike, të gatuara si “ktyne herë”, kënaqin çdo ditë mysafirët e etshëm për të njohur shije të reja. Për më tepër, edhe personalitetet e qytetit të Calvinit, si kryebashkiaku i qytetit, Rémy Pagani, kanë përjetuar tashmë këtë kënaqësi.

 

Edhe tullat dhe të gjitha mobilet janë nga trojet shqiptare

Nëse hyrja duket modeste, me të hapur dyert vërejmë se do të përjetojmë diçka të veçantë. Stili është atipik. Ndërsa ‘lundrojmë’ nga një dhomë në tjetrën, pronarët Hyseni dhe Fahredini zbulojnë për ne perlat e këtij vendi pa dyshim shumë origjinal.

Këtu çdo gjë është ndërtuar nga punëtorët e Hysenit dhe Fahredinit dhe materialet vijnë direkt nga Kosova dhe Shqipëria. Tullat prej terrakote, të cilat zbukurojnë dy muret dominuese të lokalit, janë nga rajoni i Veriut të Shqipërisë. Tavolinat dhe karriget e drurit, të ndërtuara nga një zdrukthëtar i pasionuar, janë nga Kosova. Por, kjo nuk është e gjitha, pronarët me shumë kënaqësi na tregojnë edhe për dritat e tyre të shumta me hekur të farkëtuar, ose për mbulesat e tavolinave, të gjitha të punuara në Kosovë.

Në fundjavë, muzikë “të gjallë” shqiptare

“Gjithçka që shihni rreth jush vjen nga vendet tona. Bile, edhe pikturat që po i shihni janë vizatuar nga një piktor nga qyteti i Gjilanit”, shpjegon me entuziazëm Fahredini. Ky restorant, njëkohësisht tradicional dhe modern, i cili është hapur gjashtë muaj më parë, tregohet unik me aftësinë e tij për të shërbyer ushqime të kuzhinës shqiptare, duke përdorur një dekor që krijon një atmosferë tipike të vendit. Mu në mes të lokalit mund të shihet edhe një odë karakteristike e vogël, mbi të cilën shtrihen dy sofra druri, të vendosura mbi të ashquajturit qylyma dhe postaja (lëkurë dele) të kohës së vjetër, sofra ku grupet e miqve mund të takohen për të shijuar dhe ndarë këmbëkryq  specialitetet e shumta të viseve shqiptare. Sigurisht, ky vend është me vlera të shumëllojshme, veçanërisht pasi që në fund të javës mund të gjejmë edhe muzikë të gjallë shqiptare.

Befasohen miqtë zviceranë

Hyseni, baba i tre fëmijëve dhe Fahredini, i cili i ka katër fëmijë të rritur tashmë, thonë se më në fund arritën të ofrojnë një vend të mirë për miqtë e tyre zviceranë që për tridhjetë vjet me radhë ankoheshin për mungesën e një restoranti të tillë në Gjenevë. “Është e çuditshme, ju jeni kaq shumë në Zvicër dhe ende nuk keni arritur të keni një restorant me ushqime cilësore shqiptare”. Të paktën tani, përmes një darke, gjatë një mbrëmjeje, po këta miq zviceranë kanë mundësinë të ‘zhyten’ në një atmosferë shqiptare, ku mikpritja është pikënisja e zakonit dhe kulturës sonë. Dhe, sapo të shijojnë ushqimin e tyre, ata do të mund edhe të argëtohen në pjesën e pasme, aty ku gjendet edhe një bar me muzikë tipike të vendit, e cila do t’i mbajë pa dyshim deri në fund të natës.

Oda shqiptare, sofrat dhe postajat

Mu në mes të lokalit mund të shihet edhe një odë karakteristike e vogël, mbi të cilën shtrihen dy sofra druri, të vendosura mbi të ashquajturit qylyma dhe postaja (lëkurë dele) të kohës së vjetër, sofra ku grupet e miqve mund të takohen për të shijuar dhe ndarë këmbëkryq  specialitetet e shumta të viseve shqiptare.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch