Kultura

Në Galerinë e Arteve të Kosovës ekspozitë e grafistit Adem Dërmaku

Një përmbledhje pikturash, grafikash dhe vizatimesh të punuara gjatë shtatë vjetëve të fundit në diasporë, përkatësisht në Zvicër, të shkëputura në cikle të ndryshme që ka përzgjedhur grafisti kosovar, Adem Dërmaku, do të pasqyrohen në një ekspozitë personale të tij, më 9 dhjetor, në Galerinë e Arteve të Kosovës në Prishtinë.

Grafisti Adem Dërmaku është shprehur i kënaqur që po rikthehet sërish me ekspozitë në Kosovë.

Kjo është hera e dytë që prezanton veprat e tij para artdashësve kosovarë.

Dërmaku ka thënë për albinfo.ch se megjithatë është nder i madh të ofrosh për publikun kosovar një përmbledhje të veprave të punuara gjatë shtatë vjetëve të fundit.

“Është ndjenjë e veçantë të ekspozosh para shokëve, kolegëve e profesorëve, në vendin ku edhe kam kaluar pjesën më të mirë të jetës sime gjatë studimeve”, ka thënë Dërmaku.

Kjo është ekspozita e katërt personale e grafistit Dermaku. Ekspozita e tij e fundit me grafikë ishte prezantuar në Cyrih. Punimet e tij ishin prezantuar në copa letre e në litografi, me datat e skicuara të ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së shqiptarëve brenda një shekulli.

Artisti gjilanas gjithmonë kishte frymëzim vendlindjen, ndërsa të gjitha punimet i ka të krijuara në Zvicër. Edhe ekspozita që do të hapet në Prishtinë është përmbledhje me piktura, grafika dhe vizatime të punuara në teknika të kombinuara që në fokus kanë historinë e popullit shqiptar në Kosovë.

Po ashtu, në punimet e Dërmakut gjen motivet edhe të karakterit provincial dhe rural të Kosovës. Ekspozita në Galerinë e Arteve të Kosovës do të jetë e hapur deri më 24 dhjetor.

Dërmaku ka marrë pjesë në mbi 70 ekpozita kolektive nëpër  vende të ndryshme të botës, si në Kosovë, Shiqpëri, Maqedoni, Bullgari, Rumani, Zvicër, Gjermani, Austri, Francë, Spanjë dhe Japoni.

Adem Dërmaku është lindur më 31.07.1978 në Gjilan. Ka diplomuar në vitin 2001 në degën e grafikës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë, te profesori Fatmir Krypa dhe ka magjistruar në vitin 2005, po te i njëjti profesor. Dërmaku është i specializuar në litografi, aktualisht është i punësuar si asistent në studion e Grafikës në teknikën e Litografisë, Grafische Anstalt J.E Wolfensberg AG, në Cyrih.