Lajme

Në Gjakovë nis Seminari për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë

Në këtë Seminar që do të zgjasë deri më 4 gusht, pritet të marrin pjesë rreth 120 mësues shqiptarë të mësimit plotësues në gjuhën shqipe jashtë vendit

Foto arkiv

Në Gjakovë sot nis Seminari mbarëkombëtar për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë, i cili mbahet me organizimin e ministrive të Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Në këtë Seminar i cili do të zgjasë deri më 4 gusht, pritet të marrin pjesë rreth 120 mësues shqiptarë, të cilët janë të angazhuar në mësimin plotësues në gjuhën shqipe nëpër vende të ndryshme të Evropës Perëndimore.

Ky Seminar mbahet me qëllim unifikimin e planprogrameve dhe koordinimin e vazhdueshëm në mes të të dyja shteteve (Kosovës dhe Shqipërisë), për ofrimin e mësimit të integruar në diasporë. Po ashtu ky Semnar ka rëndërsi sa i përket ruajtjes së gjuhës shqipe, identitetit dhe edukimit të brezave në frymën kombëtare shqiptare.

Ndryshe, Seminari mbarëkombëtar për mësimin plotësues në gjuhën shqipe në diasporë, për çdo vjet mbahet nëpër qendra të ndryshme shqiptare, dhe i njëjti viteve të kaluara është mbajtur në Shkodër, Pejë, Durrës etj.