Lajme

Në Gjilan promovohen prodhimet e Anamoravës

Gjilani ka brende jashtëzakonisht të fuqishme që shiten në tetë vende të Lindjes së Mesme dhe Lindjes së Afërt. Kështu u tha sot në hapje të panairit të Anamoravës në sheshin "Agim Ramadani"

Në Gjilan sot është hapur panairi regjional i produkteve vendore, në të cilin kompanitë e Anamoravës po i ekspozojnë prodhimet e tyre. Ky panair që do të zgjatë deri të dielën, organizohet nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik dhe ajo e Bujqësisë e Komunës së Gjilanit, ndërsa hapjen e kësaj ngjarje e ka bërë kryetarit Lutfi Haziri dhe udhëheqësja e projektit nga organizata gjermane GIZ, Ottilie Mooshofer.

“E falënderoj partnerin tonë strategjik, organizatën gjermane GIZ për mbështetjen. Familjet bujqësore në Gjilan, prodhuesit, kompanitë dhe brendet e mëdha, sot dhe nesër e kanë mundësinë që t’i ekspozojnë prodhimet e tyre, që ta informojnë opinionin dhe bashkatdhetarët me prodhimet e Gjilanit dhe të Anamoravës”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri.

Ai tha se komuna krenohet me bizneset e kësaj ana, të cilat kanë tejkaluar kufijtë shtetëror, siç janë: “Fluidi”, “Calabria”, “Moea”, “Frutimania”, “Ask Food”, “Consoni”…

“Po ashtu këtu bënë pjesë edhe prodhimi i djathit në Bresalc, i bimëve mjekësore në Stanishor, Verbicë të Zhegocit dhe vendbanime tjera. Jemi të kënaqur që prodhimi i shumë produkteve bujqësore në Gjilan është duke u zhvilluar në mënyrë jashtëzakonisht pozitive. Ne po i kthehemi edhe prodhimeve tradicionale që Gjilani i ka pasur deri tek bima e duhanit”, tha Haziri.

Ndërkaq, udhëheqësja e projektit nga organizata gjermane GIZ, Ottilie Mooshofer, ka deklaruar se është e kënaqur dhe e nderuar që kanë mund ta ndërtojnë një platformë të përbashkët.  “Shpresoj shumë që do të bëhet një trend që të gjithë t’i blejnë produktet lokale e regjionale që ju i prodhoni, të cilët kanë informata për mënyrën se si prodhohen”, tha Mooshofer.