Gjuha

“Ne i motivojmë besimtarët tanë edhe për shkollën shqipe”

Intervistë me kryetarin e Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Nehat Ismaili

Derisa në shkollat shqipe numri i nxënësve fillon nga 5 e deri më së shumti në 30 nxënës në mbi 40 xhami ku zhvillohet mësimi besimi për fëmijët shqiptarë, numri i tyre arrin më së shumti në 150 nxënës por ka edhe xhami që numri i tyre nuk arrin as 30 nxënës. Se si zhvillohet ky mësim dhe a janë te gatshëm të bashkëpunojnë me mësuesit e shkollësh shqipe flet në një intervistë për albinfo.ch, kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Nehat Ismaili

Albinfo.ch: Sa është numri i nxënësve pjesëmarrës në mësim-besim, në ato xhami të cilat menaxhohen nga hoxhallarët e Unionit të Imamëve Shqiptar të Zvicrës?

Nehat Ismaili: Nuk mund të flasim për një numër të sigurt të nxënësve që ndjekin mësim besimin nëpër xhami. Madje vetë ndjekja e mësimin besimit nuk bëhet rregullisht, kohë pas kohe është në rritje por ka raste kur ky numër edhe ulet dukshëm. Kjo varet nga interesimi i prindërve, nga puna e imamit si dhe kurreshtja e nxënësve. Kemi xhami ku numri i nxënësve arrin në 150 por kemi edhe xhami ku numri i tyre nuk arrin as 30 nxënës. Andaj edhe nuk mund të japim ndonjë numër real të nxënësve që ndjekim mësim besimin islam në xhami.

Albinfo.ch: Sa prej tyre shkojnë edhe në shkollat shqipe?

Nehat Ismaili: Nuk disponojmë me informacione të sakta prandaj nuk dëshiroj të spekuloj me numra të tillë, por shpresojmë që numri i nxënësve të rritet sepse një aktivitet i tillë është në dobi të vetë nxënësve, prindërve por edhe në përgjithësi në dobi të brezit të ardhshëm.

Albinfo.ch: Shkollat shqipe kanë më pak nxënës se xhamitë si e shpjegoni këtë fakt?

Nehat Ismaili: Të jem i sinqertë, mund të flas vetëm për xhamitë dhe shkollat që veprojnë në kuadër të xhamive. Mënyra e qasjes dhe motivimit të nxënësve është e rëndësishme në ecurinë dhe zhvillimin e mësim besimit islam por edhe në përgjithësi. Puna me fëmijët është e mundimshme, komplekse ndonjëherë edhe frustruese. Rol të rëndësishëm luan vetë imami me sjelljet dhe inovacionet që mund të fusë në përdorim për të zhvilluar procesin e mësimit me nxënësit.

Çdo herë i këshillojmë imamët që të jenë të kujdesshëm gjatë menaxhimit të situatave konfiktuoze mes nxënësve, apo ndaj nxënësve të pavëmendshëm, që imami me sjelljen e tij të jetë shembëlltyrë si në komunikim po ashtu edhe në veshje, të shërbehet me materiale audio vizuele, të zhvillojë mësimin përmes lojërave dhe argëtimit, të organizojnë ekskurzione brenda dhe jashtë Zvicrës, të organizojë kuize të diturisë, me fjalë tjera të përdorin teknika, metoda dhe strategji të ndryshme për të qenë më atraktiv që sa më lehtë të përcojnë mesazhin e duhur. Sepse në ditët e sotme vihet re se nxënësit ndihen të demotivuar për të frekuentuar shkollën apo mësimin në xhami. Ndoshta këtu ndikon edhe mosha e nxënësve, stërngarkimi i programeve të ngjeshura shkollore, ndjekja e kurseve, aktivitetet sportive, apo edhe mungesa e motivitimit nga imami, mësuesi apo edhe vetë prindërit.

Albinfo.ch: Imamët a i motivojnë nxënësit e mësim-besimit që të ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe?

Nehat Ismaili: Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve tanë është mënyra më e mirë për të mbajtur gjallë shpresat për një familje dhe shoqëri të shëndoshë, mbi të gjitha një brez të shëndoshë. Kontributi i imamëve në këtë rrafsh është për çdo lavdatë. Ata rregullisht i motivojnë fëmijët dhe prindërit me vepra konkrete, përmes fjalimeve, tribunave dhe eventeve që krahas mësim besimit islam duhet të vijojnë edhe mësimin plotësues të gjuhës shqipe dhe mësime mbi historinë kombëtare. Identiteti kombëtar është i domosdoshëm për një zhvillim dhe ecuri të shëndoshë të nxënësve, kjo arrihet më së miri përmes mësim plotësues të gjuhës shqipe krahas mësimit mbi etikën e religjionit. Nisur nga fakti që fëmijët tanë sfidohen nga tre identitete, ai shtetëror, kombëtar dhe fetar, për këtë arsye ky fakt duhet të merret në konsideratë dhe të punohet si në shtëpi, në xhami dhe shkollë për të nxjerrë një brez të shëndoshë të rinisë shqiptare në perëndim, i cili do të kultivojë rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe njohuritë elementare mbi historinë kombëtare.

Albinfo.ch: A bashkëpunoni me mësuesit e shkollës shqipe për t‘i mbushur edhe klasat e tyre me nxënës?

Nehat Ismaili: Unë e shoh problemin më tepër në aspektin organizativ dhe të organeve kompetente nga vendlidja të cilët duhet të jenë më aktiv në këtë rrafsh, të sigurojnë rroga për mësuesit, të vijnë këtu të kontaktojnë palët, të vizitojnë xhamitë të zhvillojnë biseda më imamët dhe kryesitë e xhamive, ky është një realitet në Zvicër që nuk mund të anashkalohet. Po ashtu faji është edhe te prindërit të cilët duhet t`i motivojnë fëmijët e tyre në forma të ndryshme.

Ne jemi të hapur në këtë drejtim, dhe shumë xhami shqipare kanë ofruar infrastrukturën e tyre për këtë synim, por ne nuk mund t`i dërgojmë me dhunë, jashtë vullnetit të tyre. Sa për ilustrim, Xhamia e Bardhë në Aarburg, ka vënë në dispozicion restorantin e xhamisë dy herë në javë në mesditë nga dy orë për shoqatën qeveritare Nordstern të Aarburgut të cilët përgatisin ushqim në kuzhinën e xhamisë për fëmijët që nuk mund të shkojnë në shtëpi gjatë pauzës së mësimit në shkollat publike. Aktivitet ky që zhvillohet dy vite me radhë në bashkëpunim me xhaminë e Bardhë Aarburg, dhe ky shërbim është ofruar gratis nga Xhamia e Bardhë.

 Tre identitete 

Nisur nga fakti që fëmijët tanë sfidohen nga tre identitete, ai shtetëror, kombëtar dhe fetar, për këtë arsye ky fakt duhet të merret në konsideratë dhe të punohet si në shtëpi, në xhami dhe shkollë për të nxjerrë një brez të shëndoshë të rinisë shqiptare në perëndim, i cili do të kultivojë rrjedhshëm gjuhën shqipe dhe njohuritë elementare mbi historinë kombëtare

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/ne-i-motivojme-besimtaret-tane-edhe-per-shkollen-shqipe/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.