Zhvillim

Po mbahet takimi i Unionit Global të Bizneseve Shqiptare

Unioni Global i bizneseve shqiptare në Diasporë, dje ka nisur takimin vjetor në Prishtinë dhe shënimin e përvjetorit të parë të formimit të këtij unioni.  Në këtë takim që llogaritet të jetë më i madhi që prej themelimit, po marrin pjesë kryetarët e rrjeteve të unioneve shqiptare në botë dhe biznesmenë shqiptarë të dalluar me veprimtarinë e tyre në diasporë.

Gjatë ditës së djeshme kryetarët e rrjeteve të unionit shqiptar krijuan platformën e Unionit Global, votuan për statutin e organizatës si dhe i përcaktuan rregullat e funksionimit të unionit.  Nga ky takim u vendos që edhe për një vit kryetar i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës Shqiptare të mbetet biznesmeni i njohur shqiptarë në Amerikë, zoti Nazar Mehmeti, ndërsa Nju Jorku u zgjodh vendi mikpritës ku do të mbahet vitin e ardhshëm takimi i dytë i Unionit Global të Biznesmenëve të Diasporës shqiptare, bën të ditur “albinfo.ch”.

Biznesmenët e dalluar shqiptarë në botë, gjatë këtij takimi diskutuan mbi modalitetet e të bërit biznes në Kosovë dhe Shqipëri, si dhe treguan përvojat e tyre të suksesit në biznes në vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë Ndërkohë këtë takim e ka përshëndetur edhe Presidenti i nderit të këtij Unioni, biznesmeni Lazim Destani.

Po ashtu i pranishëm ishte edhe zoti Naim Deduashaj, i cili në pozitën e Drejtorit të Investimeve të Diasporës, është ideator i organizimit të këtij Rrjeti të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, kurse I gjithë forumi është moderuar nga Yll Blakaj, kryetar i rrjetit të biznesmenëve shqiptarë në Austri dhe Ismet Smajli, biznesmen shqiptar nga Amerika.

Ndërkaq gjatë ditës së sotme janë duke vazhduar takimet e planifikuara me biznesmenë të komunës së Istogut dhe kryetarin e Komunës së Istogut, Haki Rugova. Takimi me biznesmenët që kanë investuar në Kosovë bëhet për tu njoftuar nga afër me punën e tyre.  Forumi ka në axhenden e tyre edhe takime të tjera me krerët më të lartë të shtetit ndërsa përfundon gjatë ditës së shtunë.

Duhet theksuar se ky takim është mundësuar nga rrjeti i bizneseve shqiptare në Austri.