E-Diaspora

Në kuvend, puna trevjeçare e Krijuesve Shqiptarë në Austri

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri ka mbajtur Kuvendin e saj

Fundviti  ishte shënuese i festave historike shqiptare dhe datave tjera nga veprimtaria e mërgimtarëve në Austri. Dhe, për Lidhjen e Shkrimtarëve e Krijuesve Shqiptarë në Austri, ishte një moment shpalosjeje e fryteve të punës trevjeçare të saj. Që nga themelimi bashkëshijues të vlerave artistike Lidhja kishte ambasadorët e stafin diplomatik shqiptarë në Austri. Që në themelimin e saj më 19 janar 20011, Ambasadori i parë i Republikës së Kosovë në Austri, Dr. Sabri Kiqmari tha: “Historia e jonë është e lidhur me krijuesit tanë jashtë territoreve shqiptare. Këtu hynë krijimtaria e rilindësve tanë jashtë territoreve etnike. Roli i tyre në krijimin e shtetit e gjuhës shqipe ishte i jashtëzakonshëm. Edhe ju si mërgatë dhatë shumë për atdheun në veçanti këto njëzet vitet e fundit”. Edhe kësaj radhe Roland Bimo, ambasador i Republikës së Shqipërisë dhe Dedë Prenga atashe ushtarak shqiptar, e nderuan kuvendin me prezencën e fjalët e tyre.

Në kuvend morën pjesë anëtarë krijues nga disa qytete të Austrisë dhe nga Hungaria. Roland Bimo në fjalën e tij përshëndetëse tha: ”Është një aktivitet për t’u përshëndetur, është sakrifica për ta mbajtur gjallë gjuhën e kulturën, pa të cilën vështirë se do bëhej fjalë për një identitet shqiptar. Pjesë e atyre virtyteve që e dallojnë kombin shqiptar siç është bie fjala harmonia fetare, besa, respekti dhe gatishmëria për të ndihmuar tjetrin etj. Krejt kjo nuk do ishte e plotë po nuk i shtuam kësaj prirjen letrare-artistike që e karakterizon njeriun tonë. Unë jam koshient se ju funksiononi në kushte mbijetese financiarisht, por kjo nuk ishte në të kaluarën dhe s’do jetë as sot pengesë në krijimtarinë tuaj. Ne do përpiqemi të ecim gjithnjë nga më e mira e mundshme. Naim Frashëri shkroi se, “Për Shqipërinë dielli lind andej nga perëndon”. … I dëshiroj kuvendit dhe juve sukses.” 

Njëra nga mysafiret e respektuara ishte znj.Hana Këlcyra, e bija e patriotit Ali Këlcyra e cila jeton shumë vjet në Vjenë. Në përshëndetje të kuvendit  ajo përkrah bashkimin e krijuesve si hap suksesi në afirmimin e krijimtarisë letrare e artistike në vendin ku jetojmë. Dr.Sabri Osmani e intelektualë tjerë. Kuvendin e përshëndeten: Dedë Prenga, Abdullah Abdullahu në emër të Këshilli Koordinuaes i Shoqatave Shqiptare në Austri dhe Januz Saliuka në cilësinë e përfaqësuesit të Ligës Shqiptare të Futbollit në Austri. Raportin e punës e paraqiti Besim Xhelili, kryetar i LSHKSHA, kurse raportin financiar e paraqiti Anton Marku, sekretar i Lidhjes.

Raporti

Nga raporti dhe diskutimet u konstatua se, gjatë këtyre tri vjetëve janë organizuarme sukses aktivitete letrare. U promovuan vepra në disa shtete si Austri, Gjermani, Hungari, Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Suedi, etj. Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve “Aleksandër Moisiu” në Austri ka  bashkëpunuar me mbi 22 shoqata e institucione kulture nga disa vende. Janë mbajtur njëzet e pesë orë letrare të suksesshme, shumë nga të cilat në bashkëpunim me krijues nga gjuhë tjera dhe në gjuhën gjermane. Me vlerë ishte bashkëpunimi me poetin dhe albanologun Dr. Kurt Gostenschnigg i cili krijon edhe në gjuhën shqipe. Ai është përkthyes i antologjisë “Illyricum” në gjermanisht dhe i krijimeve të disa autorëve shqiptarë në Austri. I frytshëm ishte po ashtu bashkëpunimi me PEN-Klubin Austriak të cilin e udhëheq shkrimtari i njohur Helmuth A. Niederle. Me PEN-Klubin u mbajtën disa orë letrare në lokalet e tij në dy gjuhë. Dhe, me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe shkrimtarin e njohur austriak z.Peter Paul Wiplinger.

Aktivitetet letrare të Lidhjes sonë u përkrahën nga ambasadat tona dhe ambasadorët. Ish ambasadori Dr. Vili Minarolli, e nxiti bashkëpunimin tonë me Klubin e  Shkrimtarëve Shqiptarë në Botë “Drita” me seli në Athinë si bashkëthemelues dhe bashkëpunëtor i saj. Në antologjinë e botuar e ky klub me autorë krijues mërgimtarë “Pelegrin” në vitin shënues të një shekulli jetë të shtetit shqiptar, u prezantuan disa nga krijuesit e Lidhjes sonë. Përkrahja nga Dr. Sabri Kiqmari dhe stafi i ambasadës së Kosovës ishte e  sinqertë në vazhdimësi.

Në Vjenë u bënë takime edhe me krijues e shkrimtarë nga trevat shqiptare siç ishte takimi me Adem Demaçin, Dr.Shyqyri Galica, Arif Demolli, Enkela Kasin, kryetare e PEN-Qendrës në Shqipëri etj. Njëra nga detyrat ishte njohja e krijuesve nga rajone e vende të ndryshme, ofrimin e bashkëpunimit dhe bashkëleximi në kryeqendra kulture. Një shembull i tillë ishte ora letrare në Budapest në shkurt të vitit, ku mori pjesë edhe poeti shqiptar nga Sllovakia z. Kamil Weiner. Lidhja… e jonë në Austri ishte njëra nder themeltarët e Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë me seli në Koblenz të Gjermanisë. Anëtarët e Lidhjes u paraqiten me krijimet e tyre letrare e artistike në Javën kulturore për mërgatën e organizuar nga Ministria e Diasporës në Kosovë.

Botimet. Që nga themelimi i Lidhjes nga anëtarët e saj u botuan vepra të shumta. Sukses i veçantë ishte botimi i “Illyricum’’ antologji në shqip, Vjenë 2012, “Illyricum” antologji në gjermanisht, Vjenë 2013. Kurse nga autorët tjerë u botuan: Anton Marku botoi dy përmbledhje me poezi, “Vizioni blu” dhe “Në duet me vetveten”, Besim Xhelili dy përmbledhje me poezi  “Baladë e ngrirë’’ dhe “Mes luleve dhe lotit“, Hazir Mehmeti „Mësimi shqip në Austri 1987-2012’’, monografi dhe “Fibel-A-B-C albanisch”. Ragip Dragusha  botoi dy vepra në poezi “Andrra e lumturueme” dhe  “Forca e fatit dhe dashurisë’’. Dan Kosumi “…dhe vjen një ditë…“, poezi. Teuta Kurhasku Rexhepi “Prush ndjenjash’’, poezi, Haxhi Morina “Feniks“, poezi, Mërgim Osmani botoi vëllime me poezi “Do t’i mbledh’’ dhe “Me sytë kah qielli”. Zef Ndrecaj botoi librin “Shtigjeve të mbërthyera’’, poezi dhe “Fshatrat buzë drinase”, tregime, ndërsa Vjollca Koni “Poseidon”, permbledhje me poezi.

Programi:  Anëtarëve iu prezantua programi për vitin që vjen i cili parasheh pesëmbëdhjetë aktivitete letrar në Austri, Gjermani, Kosovë. Botimi i antologjisë së dytë në shqip dhe gjermanisht do jetë edhe një hap drejtë afirmimit të krijimtarisë së autorëve shqiptarë në mesin shumë autorëve nga kombe të ndryshme që jetojnë e krijojnë në Austri.

Në diskutime morën pjesë shumica e të pranishmëve të cilët dhanë opinionet dhe vërejtjet e tyre lidhur me punën e deritanishme të kryesisë. Në shumë diskutime u cekën sukseset e shumta të arritura për çka kryesia mori vlerësime. Dhe, në fund pas plotësimeve të raportit të punës, financiar dhe planit për vitin e ardhshëm ato u miratuan nga të pranishmit. Kuvendi i ri zgjedhor do mbahet sipas statutit të Lidhjes vitin e ardhshëm.

Hazir Mehmeti