Kultura

“Në operë jam Elbenita që kam ëndërruar të jem”

Albinfo.ch për lexuesit e vet sjell një intervistë të realizuar me artisten e re Elbenita Kajtazi e cila në tetor dhe sërish në fillim të dhjetorit të këtij viti ishte në dy skena të operës në Gjenevë

Elbenita, një zonjë elegante, e buzëqeshur dhe përplot sharm, ashtu siç prezantohet edhe në skenë, pa hezituar, ndan me ne kohën para përgatitjes së valixhes për t’iu kthyer punës së saj në Frankfurt. Zëshëm dhe herë-herë përplot humor, ajo rrëfen rrugëtimin e saj nga Kosova deri tek skenat e operave më të njohura fillimisht në Gjermani për të vazhduar tutje me hapat e saj të sigurt ecjen në skena të tjera evropiane.

Albinfo.ch: Pse nuk keni zgjedhur të këndoni muzikë të një zhanri tjetër meqë keni mjete të sigurta por zgjodhët të bëheni soprano?

Elbenita Kajtazi: Të kesh zërin nuk është e mjaftueshme që t’i hidhesh muzikës dhe skenave artistike për të qenë vetvetja. Tek ngjarjet e operave klasike gjej veten. Aty mishërohem me rolin e personazheve që luaj. Gjithçka rreth këndimit në opera lidhet me zërin që kam, karakterin tim, dashurinë për notat dhe vetëm këtu mund të shprehem ashtu siç dëshiroj. Në opera jam vërtetë Elbenita që kam ëndërruar të jem edhe pse ky zhanër i muzikës në rrethin në të cilin jam rritur ishte i largët në mos të them tejet i panjohur.  Një vit isha pjesë aktive në shkollën “Rock school” në qytetin e lindjes, (Mitrovicë) ku kryesisht dominonte roku anglo-amerikan por nuk e kam gjetur veten time aty dhe jam larguar.

Opera, një art i panjohur në rrethin e juaj! Kush ishin adhuruesit e parë që në të ardhmen e shihnin Elbenitën soprano?

Gjatë kohës së luftës në Kosovë, unë së bashku me familjen kishim gjetur strehim në Shqipëri. Isha vetëm 7 vjeçare. Në “vallen” e rritës sime, në mesin e shumë fëmijëve të tjerë që konsideroheshim refugjatë lufte, sikur ata edhe unë kisha ëndrra dhe përplot dëshira. Kur ishim në një vend të ngrohtë të gjithë fëmijët së bashku, aty ku nuk na mungonte buka dhe dashuria e prindërve, i kalonim ditët duke lozur. Pa e kuptuar fare që babai im kishte filluar të më përcjell më për së afërmi, unë me shokët e mi të lojës “vajin e burrave e kisha shndërruar në këngë”! Në fakt, babai im kishte zbuluar në mua vajzën e tij me një zë magjeps që ia zbukuronte ditët e rënda jashtë Kosovës. Unë këndoja në “çmendurinë” time përderisa të rriturit qanin. Sapo u kthyem, pas luftës, në çdo koncert shkolle apo në organizime të tjera artistike në qytetin e lindjes, babai më prezantonte dhe unë përplot kënaqësi ngjitesha shkallëve të spektakleve të ndryshme dhe këndoja.

Po pastaj…?

Kur kam mbaruar shkollën fillore, Merita Avdyli, një këngëtare e muzikës së lehtë nga Mitrovica e cila kishte pasur rast të më dëgjonte tek këndoja, më këshilloi që të regjistrohem në Fakultetin e muzikës në Prishtinë, në solokëndim. Ashtu edhe bëra dhe fare nuk pendohem! Më ka rënë mirë apo jo? (qeshet dhe na pyet, e lumtur Elbenita). Do t’i jem mirënjohëse tërë jetën asaj dhe babait tim. Pa ata dy, sot, nuk besoj se do të isha kaq krenare para jush.

Ç’ rrugëtim keni bërë në profesionin tuaj pas përfundimit të studimeve në Prishtinë?

Pas përfundimit të studimeve në Prishtinë isha anëtare e Filarmonisë së Kosovës me të cilën kemi pasur mundësi herë-herë t’i prezantohemi edhe publikut jashtë shtetit tonë. Gjatë një udhëtimi në SHBA, kur unë isha atje mysafire, kam takuar profesoreshën e aktrimit Vera Calabria e cila “u dashurua” në zërin tim dhe më premtoi se do të interesohej për mua. Pas pak, ajo më shtyu të konkurroja në një audicion në Deutsche Oper Berlin dhe aty ia arrita të kaloj provimin me sukses ku më pas kam nënshkruar një kontratë pune 3 vjeçare. Gjatë kësaj periudhe kam qenë pjesëmarrëse e më se 100 shfaqjeve operistike dhe kam garuar po ashtu në disa të tjera.

Ku jeni shpërblyer?

Isha kosovarja e parë në Festivalin më të njohur botëror të muzikës klasike “Salzburger Festspiele” në Austri. Kam kënduar përkrah tenorit të famshëm botëror Placido Domingo, në shfaqjen e kompozitorit francez Massenet Thais. Isha jashtëzakonisht e vlerësuar në koncertin final të artistëve të rinj të këtij festivali ku dhe kam marrë kritikat më pozitive të asaj mbrëmje dhe nga media të shtypit austriak, p.sh. “Die Presse” etj. Në Berlin po ashtu jam shpërblyer me tri çmime. Në garën ndërkombëtare te Riccardo Zandanou isha po ashtu e shpërblyer. Nga kjo kam arritur të nënshkruaj edhe kontrata të tjera si për shembull një me Korenë e Jugut dhe një tjetër me Brazilin.

E sot, ku punoni?

Momentalisht jetoj në Gjermani dhe kam një kontratë pune të lidhur me teatrin “Aalto Musiktheater”, Essen ku pres me padurim të debutoj me rolet më të mëdha operistike që një soprano mund t’i këndojë. Kështu, në operën “Traviata” do të luaj rolin e Violetta-s, në “La Boheme” atë të Musseta-s, në operën “Hänsel und Gretel do të luaj Gretel, në “Die Zauberflôte” (Fyelli magjik) luaj Panina, në Turanolet-Liu, në Fliendermans fo të luaj Adele e shumë role të tjera.

Jeni shpesh në udhëtim jashtë Gjermanisë?

Për një fillim të tillë çfarë unë e kam, mund të them se po. Gjermania është e madhe dhe shëtisim me shfaqjet tona anekënd shtetit gjerman. Mandej, edhe kontrata që kam bërë me “Grand Téâthre” të Gjenevës ku luaj në shfaqjen “Pulcinella” në tetor e nëntor 2016 dhe në qershor të vitit 2017, më bënë të lëviz edhe jashtë Gjermanisë dhe të qëndroj javë të tëra në Gjenevë për përgatitje. Në vitin 2017 do të udhëtoj edhe në Brazil ku do të luaj në operën “San Pedro” në San Paolo. Jam jashtëzakonisht e lumtur të luaj në këtë operë braziliane. Së shpejti do të shkoj edhe në Kosovë, në Prishtinën time ku do të luaj përsëri në Filarmoninë e Kosovës.

Ne për albinfo.ch kemi marrë edhe mendimet e disa pjesëtarëve të publikut në mbrëmjen e dytë të “Pulcinela”. Ishin të mahnitur të gjithë nga zëri dhe qëndrimi juaj tejet tërheqës në skenë. Si arrini të komunikoni me kolegët tuaj? Flisni frëngjisht?

Çdo rol që luaj duhet edhe ta kuptoj patjetër. Në opera këndojmë në gjuhë të ndryshme, italisht, gjermanisht e kësaj radhe kam kënduar edhe në frëngjisht. Tekstin në frëngjisht e kisha të lehtë ta kuptoj të përkthyer në një gjuhë tjetër që unë e zotëroj. Përveç gjuhës amtare njoh edhe gjuhën angleze, italiane dhe atë gjermane. Kohëve të fundit jam duke e mësuar edhe gjuhën frënge duke e pasur shumë të qartë se theksimi i tingujve në opera është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe nuk dua të humb asnjë shans për shkak të mosnjohjes së gjuhëve.

Mbani kontakte të ngushta me Kosovën?

Patjetër. Unë nga Kosova kam ardhur në moshë madhore në Gjermani, gjithçka që më karakterizon është dashuri e atdheut tim. Atje kam filluar ABC-në e shumëçkaje në jetë. Gjermania vetëm më ka ndihmuar të përforcoj aftësitë e mia në lëmin e muzikës. Shumë thjesht: unë kam ardhur të punoj këtu ashtu siç vinin dikur prindërit tanë që të bëjnë punë të ndryshme për të përmirësuar kushtet ekonomike të jetës së tyre dhe familjarëve të tyre. Unë në opera të ndryshme ushtroj pra profesionin tim dhe kam një rrogë. Në Filarmoninë e Kosovës të ardhurat janë tejet të ulëta për jetën e artistëve. Shpresoj shumë që edhe ata të mund të jetojnë si unë kudo që të jenë.

Në kohën e lirë, çka lexoni më shumë?

Unë pothuajse nuk kam kurrë kohë të lirë! (qeshet Elbenita). Meqë jam shumë shpesh në shfaqje dhe luaj role të ndryshme, unë patjetër duhet t’i mësoj ato përmendësh dhe meqë janë në gjuhë të tjera më duhet t`i lexoj ndoshta tri herë më shumë se sa të ishin tekste në gjuhën shqipe. Por lexoj edhe libra dhe artikuj të ndryshëm nga aspekti profesional imi. Megjithatë Ismail Kadarenë e mbaj përherë ndër shkrimtarët më të pëlqyer dhe më të medhenj që unë i konsideroj.

Po meqë nuk jeni në gjirin familjar, i bëni vetes dreka e darka shqiptare?

Gatimin e kam pasion të dytë pas muzikës! Keni parë ju shqiptare të moshës sime që s’di të gatuaj? (pyet dhe qeshet Elebenita). Përgatis kuzhinë jo vetëm nga vendi im por kur kam kohë kënaqem duke ushtruar edhe receta të ndryshme të kulturave të tjera. Ejani në Gjermani dhe binduni, na thotë ajo duke qeshur.

 

Elbenita, në rolet më të mëdha që mund t`i ketë një soprano

Momentalisht jetoj në Gjermani dhe kam një kontratë pune të lidhur me teatrin “Aalto Musiktheater”, Essen ku pres me padurim të debutoj me rolet më të mëdha operistike që një soprano mund t’i këndojë. Kështu, në operën “Traviata” do të luaj rolin e Violetta-s, në “La Boheme” atë të Musseta-s, në operën “Hänsel und Gretel do të luaj Gretel, në “Die Zauberflôte” (Fyelli magjik) luaj Panina, në Turanolet-Liu, në Fliendermans fo të luaj Adele e shumë role të tjera.