Autotech

Në pritje të Iphonit të ri

Modeli i ri pritet të kushtojë rreth një mijë dollarë, derisa pritet të ketë ekran më të madh

Klientëve besnikë të kompanisë Apple nuk do t’u duhet të presin më gjatë për të parë se çfarë do t’u ofrohet këtë vit. Kompania pritet të zbulojë iPhonin e ri gjatë një aktiviteti të martën. Këtë vit mbushen edhe plot 10 vjet nga koha kur aparati i parë iPhone iu paraqit publikut në vitin 2007.

Si zakonisht, kompania Apple e cila njihet për ruajtjen e sekretit, nuk ka nxjerrë detaje. Prishmëritë janë se do të paraqitet një iPhone shumë i ndryshëm, ndoshta me ekran më të madh, por edhe me një çmim të lartë në rreth 1 mijë dollarë, shkruan “Zëri i Amerikës”.

“Ky është 10-vjetori i iPhonit. E kemi shijuar këtë teknologji për një dekadë. Nëse Apple dëshiron të shpalosë vizionin e saj se si do të duken 10 vitet e ardhshme, ky është momenti i duhur. Pra, të gjithë po presim një zbulim madhor. Është bërë gjithnjë e më vështirë të mahnisësh audiencën, të fitosh klientë të rinj dhe të ruash ndjekësit besnikë”, thotë Charlene Li, analiste pranë Grupit “Altimeter”, përcjell albinfo.ch.

Apple ka dhënë shenja se synon të udhëheqë tregun e ardhshëm të realitetit të shtuar. Gjithashtu, kompania do të mundohet të zmadhojë ekranin, diçka që e kanë bërë tashmë firma të tjera konkurrente.

Aktiviteti i shumëpritur që Apple do të organizojë nesër, do të zhvillohet për herë të parë në Teatrin “Steve Jobs”, në selinë e re të kompanisë në Cupertino të Kalifornisë.