Fun

“Në shtëpi jam një vajzë e thjeshtë, në skenë një modele”

Arlinda Kadaj, modele: “Unë dua të mbetem me këmbë në tokë dhe të bëj një jetë të përditshme normale. Në shtëpi unë jam një vajzë e thjeshtë, në skenë ose para kamerave jam një modele”

  • Miss OÖ Kandidatin Arlinda Kardaj

Ajo është një prej vajzave shqiptare që me sukses është duke krijuar emër në fushën e modës në Austri. Arlinda Kadaj merret me modelim prej moshës 17 vjeçare, ndërsa ka kontrata të shumta me firma dhe kompani në Austri, Gjermani dhe Zvicër. Më 19 mars, bukuroshja 19 vjeçare ishte finaliste “Miss Austria e Epërme”. Ndonëse nuk arriti të fitoj, vajza nga Istogu e cila banon në St. Florian/inn është e lumtur për këtë pjesëmarrje. Ndryshe Arlinda Kadaj, ishte fituese e “Miss Press” në spektaklin e bukurisë “Miss shqiptarja në botë” që është zhvilluar në nëntor të vitit të kaluar në Zvicër. Në albinfo.ch sjellim një intervistë ku ajo flet për karrierën dhe sukseset e saj si modele.

Ishe finaliste në “Miss Austria e Epërme”. Pse vendose të marrësh pjesë dhe si ishte për ty ky spektakël?

Kam ndjekur vitin e kaluar spektaklin e “Miss Austria e Epërme” dhe më është dukur shumë emocionues. Kur e pashë në facebook se edhe këtë vit do të zhvillohet ky spektakël, vendosa që të aplikoj, për çka edhe nuk jam penduar. Për mua, pjesëmarrja në garë ishte kënaqësi e vërtetë, një hap drejt realizimit të ëndrrës sime për të pasur edhe më shumë njohuri me skenën dhe bashkëpunime edhe me të mëdha me fotografë apo kontrata për reklama të ndryshme.

Për cilat kompani, gjegjësisht konkurse bukurie jeni angazhuar?

Me modelim kam filluar që nga mosha 17 vjeçare.  Kam realizuar disa sete fotografish, jam në kontratë me një agjenci modelesh në Passau si dhe reklamoj këmisha për një agjenci online të modës. Përvoja nuk më mungon, por në mendimin tim asnjë përvojë nuk është e mjaftueshme. Në nëntor 2016 mora pjesë në “Miss Shqiptarja në botë” e cila u zhvillua në Cyrih. Ishte për mua pjesëmarrja e parë në një garë për miss, nga i cili spektakël kam përfituar jashtëzakonisht shumë.  Në këtë mënyrë, unë mësova që të përballem me presionin dhe kjo më ka dhënë mua edhe më shumë vetëbesim. Aty fitova titullin “Miss Press” dhe arrita të hy në mesin e 15 bukurosheve.

Cila ka qenë kontrata më e madhe e modës për ju?

Për mua secila kontratë është e madhe. Sigurisht se gëzimi më i madh për mua ishte, kur mësova se do të jem imazh për shitje online.  Por, edhe të gjitha kontratat për sfilata kanë qenë shumë emocionuese. Aktualisht kam një bashkëpunim me një kompani zvicerane, ku jam e ftuar për një set fotografish.

Ju jeni nëpunëse e logjistikës. A mund ta paramendoni të hiqni dorë nga profesioni juaj për një karrierë si modele?

Aktualisht unë punoj në profesionin tim me orar të plotë, ndërsa po ashtu bëj edhe shkollimin. Është paksa e lodhshme por jo e paarritshme. Modelimin nuk e shoh vetëm si një hobi, por si pjesë të punës që e bëj krahas profesionit tim. Nëse më vjen ndonjë ofertë e madhe, atëherë unë mund të shkurtoj kohën e profesionit tim, por të heq dorë tërësisht për një karrierë si modele, këtë nuk mund tani ta them.

Cila është e veçanta që të sjell fusha e modelimit?

Nuk mundem të përshkruaj vërtet ndjenjën që ta sjell skena e modelimit. Ashtu si të tjerët që kanë dashuri për instrumente muzikore, për muzikë apo për futboll, për mua modelimi është pasion. Modelimi të jep mundësi të shëtitësh në vende të shumta, të shohësh gjëra të ndryshme dhe të njohësh njerëz dhe të arrish kontakte të ndryshme. Është gjithmonë bukur dhe interesant, të njohësh njerëz të mrekullueshëm, të cilët kanë po ashtu të njëjtin pasion siç e kam edhe unë.

Ku synoni të arrini me karrierën e modës?

Qëllimi im është para se gjithash të jem e lumtur për atë çfarë kam arritur. Pas shumë vitesh unë dua të jem e buzëqeshur në fytyrë kur mundem të tregoj për arritjet e mia që i kam bërë në moshën e rinisë. Megjithatë, unë dua të mbetem me këmbë në tokë dhe të bëj një jetë të përditshme normale. Në shtëpi unë jam një vajzë e thjeshtë, në skenë ose para kamerave jam një modele. Unë mundem ta ndaj shumë mirë jetën private me atë profesionale.

Parisi, Milano apo Nju Jorku, për cilët këto vende do të kishit emigruar për një karrierë si modele?

Për të emigruar për gjithmonë, nuk është në planet e mia. Ndërsa për të jetuar për një kohë, është mirë besoj si në ë Paris, Milano apo Nju Jork.