Gjuha

Në vëmendje të rinisë shqiptare në Gjenevë

Ka tashmë 3 vjet që jam i angazhuar në kuadër të LAPSH-it, shoqatë e cila organizon mësimin plotësues të gjuhës shqipe në Gjenevë, në bashkëpunim me Zyrën e Integrimit (BIE), Departamentin e Arsimit të kantonit të Gjenevës (DIP) si dhe me komunat gjenevase.

Gjatë dekadave të fundit shkencëtarë nga mbarë bota kanë dëshmuar rëndësinë e mësimit plotësues, qoftë për fëmijët dhe zhvillimin e tyre, apo edhe për komunitetin në përgjithësi.

Që nga fillimi shoqata ka funksionuar në baza vullnetare. Gjenerata e prindërve tanë u përpoq me mish e me shpirt që të kemi mundësi të mësojmë gjuhën e të parëve tanë dhe jam i bindur se shumë prej jush i kanë vijuar mësimet e LAPSH-it.

Sot, shoqata gjendet para një udhëkryqi. Anëtarët e kryesisë, shumica e të cilëve kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, nuk kanë mundësi t’i përballojnë sfidat e radhës para të cilave gjendet LAPSH-i dhe nevoja për ripërtëritje në kuadër të kryesisë është urgjente.

Pikërisht për këtë arsye ju ftoj në Kuvendin e përgjithshëm të shoqatës, të mërkurën, më 19 tetor 2016, nga ora 19, në Centre de quartier de Balexert (Avenue du Crozet 31, 1219 Châtelaine) që të ndërtojmë një kryesi të re, e cila do ta çojë LAPSH-in drejt një të ardhmeje të ndritshme!

Do të krijojmë disa ekipe, të cilat do t’i marrin përsipër nevojat e ndryshme të shoqatës, aktiviteti i së cilës zhvillohet në rreth 20 klasa, për përafërsisht 270 nxënësë.

Një ekip kontabiliteti/financa, i cili do të marrë përsipër hartimin e buxhetit, derdhjen e rrogave, kërkesat për subvencione, etj.

Një ekip administrativ, i cili do të menaxhojë listën e familjeve/nxënësëve, kontaktin me prindërit dhe kotizimit.

Një ekip marketingu, i cili do të promovojë aktivitetin e LAPSH-it, qoftë përmes një web-faqe të re, rrjeteve sociale apo çfarëdo metode tjetër.

Një ekip për marrëdhënie me publikun, i cili do të mbajë kontaktet me partnerët tanë, të cilët janë: BIE-ja, DIP-i, autoritetet e Shqipërisë, Kosovës… si dhe komunat dhe shkollat gjenevase.

Një ekip pedagogjik, i cili do të hartojë një projekt-listë të detyrimeve kontraktuese, me qëllim që të angazhojmë në të ardhmen një përgjegjës-e pedagogjik-e, i cili/ e cila do të zbatojë reformat e nevojshme në kuadër të mësimdhënies.

Deri tani unë i kisha përsipër të gjitha këto aspekte dhe kuptohet se është shumë vështirë t’i përballosh vetë. Po ashtu, nga shtatori 2017 do të fillojë stazhin e avokatit, me orar të plotë, gjë e cila do të ma pamundësojë angazhimin e plotë për LAPSH-in. Nuk do të tërhiqem tërësisht, mirëpo kam patjetër nevojë për mbështetje që të mos ndërprehet aktiviteti i LAPSH-it.

Nuk mund të pranoj që LAPSH-i të mos vazhdojë aktivitetin e tij për shkak të mungesës së angazhimit të komunitetit tonë dhe sidomos te rinisë shqiptare.

Paraardhësit tonë u flijuan me shekuj për ta ruajtur një ndër gjuhët më të vjetra të botës dhe sot gëzojmë lirinë ta flasim dhe t’ua kalojmë gjeneratave të reja.

E kemi për detyrë që pasardhësitë tanë të mos kenë vetëm “origjinë shqiptare”, por të jenë edhe shqipfolës.

Së fundi, ju garantoj që një angazhim në LAPSH mund t’ju shërbejë edhe në jetën profesionale, duke pasur parasysh se kjo shoqatë i ngjan në shumë aspekte një ndërmarrjeje të vogël dhe përvojën që do ta përfitoni në LAPSH, do t’u shërbejë edhe për karrierën tuaj.

Ju pres të shumtë në Kuvendin e përgjithshëm dhe shpresoj që së bashku ta bëjmë LAPSH-in shtyllë të komunitetit tonë.