Sport

Në vend të kukullave, Saranda zgjodhi topin e futbollit

Edhe pse e ftuar në përfaqësuesen zvicerane të femrave, mendja dhe zemra e saj rrihte për një kombëtare tjetër. Kështu, Saranda Hashani përcaktohet për kombëtaren kuq e zi

Foto: Niels J. Menko
Foto:©Niels J. Menko

Tashmë nuk ka dyshim se Zvicra është kthyer në një vend ku kame shumë talente të futbollit. Pothuajse te gjithë vendet e Ballkanit janë „furnizuar“ me futbollistë të prodhuar nga akademitë zvicerane të futbollit. Por edhe shumë të huaj, po nga ky rajon, kanë pranuar të luajnë për Zvicrën. Mjafton të përmendim Shaqirin, Behramin e G. Xhakën te Zvicra, për te kaluar tek Shqipëria me T. Xhakën, Abrashin e shumë të tjerë. Dhe duke vazhduar së fundi me anëtaren më të re të FIFA-s, Kosovën, e cila po ashtu ka „grabitur“ talente nga Zvicra.

Është diskutuar gjatë se a janë „tradhtarë“ apo „heronj“ këta lojtarë të sipërshënuar. E prapë janë përdorur të dyja „epitetet“.

Kjo vlen për futbollin mashkullor.

Saranda Hashanin e takuam gjatë ushtrimeve me ekipin e parë të femrave të FC Luzern. Edhe pse ishin vetëm ushtrime, angazhimi i saj të linte përshtypje se ishte ndonjë ndeshje me rëndësi. Por kjo është pjesë e saj, serioziteti dhe dashuria ndaj lojës së Futbollit.

  • Si u bind babai që ta lejonte të luante futboll

E lindur dhe e rritur në Zvicër, e me prejardhje nga Gjilani, goditjet e para të topit i kujton nga mosha 5 vjeçare. Përderisa moshataret e saj preferonin kukullat apo ndonjë lodër tjetër, Saranda kishte zgjedhur topin.

Edhe për Sarandën, përvoja e parë kishte filluar në parkun e lojërave të lagjes, ku së bashku me moshatarët e vet luante futboll.

Kështu vazhdon deri tek anëtarësimi i saj në FC Spreitenbach në vitin 2007. Deri në vitin 2010, Saranda, nga kategoria C e juniorëve, kalon te ekipi i parë i femrave që garonte në Ligën e parë.

Dihet se përkrahja e prindërve ka ndikim shumë të madh tek fëmijët. Mirëpo fillimisht, Saranda nuk e kishte këtë përkrahje, por gjatë një ndeshjeje kur ishte i pranishëm edhe babai, ndodhi një gjë interesante.

“Gjatë një ndeshjeje si juniore, kam shënuar 5 gola“, tregon duke qeshur Saranda, moment ky qe kishte ndikuar që babai i saj t’i kushtonte më pas tërë vëmendjen dhe përkujdesjen e duhur.

Në vitin 2010 transferohet tek FC Grasshoppers, ku fillimisht me grupmoshat nën moshën 19 vjeçare (U 19) shpallet dy herë kampione e Zvicrës, e duke vazhduar kështu deri në vitin 2015, kur edhe fiton vendin e saj në ekipin e parë të femrave.

  • Nga FC Zürich në FC Luzern

Pas një oferte tjetër nga gjiganti i futbollit zviceran, FC Zürich, ajo i bashkohet kësaj skuadre, ku gjatë një kohe shumë të shkurtër arrin rezultate shumë të mira, duke u pjekur kështu më shumë si lojtare profesioniste.

Edhe pse në fillim ishte mjaft aktive në këtë skuadër, për shkak të disa ndryshimeve taktike, shpesh detyrohej të qëndronte në bankën rezervë, gjë jo e rëndomtë për Sarandën. E pakënaqur me këtë tretman, vendos të ndërrojë skuadër.

Gjatë këtij viti transferohet në FC Luzern, ekip ky i cili i ofroi një vend standard në 11-shën startuese, po edhe shumë gjëra tjera me të cilat Saranda është shumë e kënaqur.

Por kënaqësia në këtë rast është edhe stafit të FC Luzern Femrat. Kështu, zv. Trajneri Kurt Ulrich, ndjehet mjaft komod kur flet për Sarandën, duke e cilësuar si një lojtare shumë të fortë, të disiplinuar e mjaft luftarake.

  • Përcaktohet për skuadrën kuqezi

Edhe pse e ftuar në përfaqësuesen zvicerane të femrave, ku edhe kishte zhvilluar disa seanca stërvitore, për Sarandën dukej se diç nuk shkonte. Mendja dhe zemra e saj rrihte për një kombëtare tjetër.

Pas një kontakti të gjatë me ish menaxherin e ekipit kombëtar të femrave të Shqipërise, Altin Rraklin, ajo ftohet në këtë kombëtarë. Duke qenë se për kombëtaren shqiptare të femrave këto ishin kualifikimet e para për ndonjë event të madh sportiv, me një fond modest të lojtareve e me kualitet jo të mirë, Saranda nuk i hezitoi kësaj ftese.

„Qëndrimi në fushë, e veshur me fanellën kuq e zi e teksa intonohet himni kombëtar, ishte një ndjenjë shumë e veçantë për mua“, kujton Saranda paraqitjen e saj të parë me Shqipërinë kundër Greqisë, ku edhe debutoi me gol.

Pas hapjes së Akademisë së Futbollit „Prio Soccer“, Saranda ishte ftuar si trajnuese, ku së bashku me Xherdan Shaqirin kishin trajnuar të rinj të shumtë në kampin e parë stërvitor të kësaj akademie që quhej „ Xherdan Shaqiri Camp“.

Edhe tek femrat, ndarja në “heroina dhe tradhtare“ 

Përkundër faktit se janë shoqe shumë të mira, Saranda Hashani dhe Florijana Ismaili, që të dyja shqiptare, që luajnë në Zvicër kanë vendosur të luajnë për dy kombëtare të ndryshme: Saranda për Shqipërinë, përderisa Florijana për Zvicrën. Por ajo që ka rëndësi në këtë mes, është se këto dy vajza të talentuara, tregojnë një shembull të mirëfilltë integrimi në shoqërinë zvicerane. E teksa vazhdojnë drejt sukseseve, atyre nuk u bëhet vonë për epitetet që u vihen.

Foto Galeri