Shkurt.ch

Në Zvicër nuk mund t`ia vësh fëmijës emrin “Automobil”

Emrat e gjësendeve ose objekteve nuk mund të pranohen si emra për pagëzimin e fëmijëve. Në këtë drejtim ai përmend emra të tillë si: shtëpi, automobil ose vegla të ndryshme zyre apo shtëpiake

Ata duan që fëmijët e tyre t`i pagëzojnë me emra të veçantë, unikë, të paharrueshëm. Hurrikan, Tsunami, Batman dhe në një rast madje, thjesht “J”, janë emra të parapëlqyer të një numri prindërish zviceranë për të porsalindurit e tyre. Por zyra e shërbimit civil në Bernë dhe ajo në Cyrih ka hedhur poshtë kërkesa të tilla speciale.
Për rastin e fundit të emrit “J”, prindërit kanë qëlluar më këmbëngulës dhe kanë ushtruar ankesë në Gjykatën Administrative të Cyrihut. Kjo e fundit e ka hedhur poshtë ankesën.

Emri “Automobil” nuk lejohet si emër njeriu
Çështja e pagëzimit të fëmijëve me emra specialë është temë e një artikulli të zgjeruar të publikuar në 20minuten. Aty sqarohet qëndrimi i autoriteteve përgjegjëse sipas të cilave një emër fëmije jepet për ta bërë identifikimin e tij, transmeton albinfo.ch. Ndërsa me një “J” të thjeshtë nuk identifikohet askush.
Një zyrtar i Zyrës së Shërbimit Civil të St. Gallenit thotë se “emrat që zyrtarisht hidhen poshtë janë ata që lëndojnë në mënyrë të qartë interesat juridikë të fëmijës. Po kështu si emër nuk mund të njihet një kombinim numrash ose shkronjash. Emrat e gjësendeve ose objekteve po kështu nuk mund të pranohen si emra për pagëzimin e fëmijëve. Në këtë drejtim ai përmend emra të tillë si: shtëpi, automobil ose vegla të ndryshme zyre apo shtëpiake.

Kur dikush do që patjetër ta pagëzojë fëmijën me emrin “Gift” (anglisht: dhuratë, gjermanisht: helm)

Objekte të ndërhyrjes së zyrtarëve mund të jenë edhe emrat në gjuhë të huaja. Në raste të tilla prindërve u sqarohet kuptimi i atyre emrave në gjuhën gjermane. Kështu, një çift i huaj dëshironte që fëmijës së porsalindur t`ia linte emrin “Gift”, që në gjuhën angleze kuptohet si dhuratë. Por problemi del kur ky emër të përdoret në regjionin gjermanishtfolës, ku fjala “Gift” ka kuptimin “helm”. Zyrtarëve civilë u është dashur t`ua sqarojnë prindërve kuptimin e fjalës në gjuhën gjermane. Ata nga ana e tyre kanë lënë të kuptohet se pas një kohe do të ktheheshin në vendin e tyre të prejardhjes ku flitet anglishtja kështu që nuk do të kishte probleme të kuptimit. Në këtë rast autoritetet kanë lëshuar pe dhe kanë lejuar që fëmija të pagëzohet me emrin ”Gift”.

Edhe Krefelda “jonë” gjermane hyn në këtë mes

Pak ditë më parë në Gjermani ka bërë bujë të madhe rasti i pagëzimit të një fëmije të porsalindur shqiptar. Arsyet janë të ngjashme: prindërit kishin vendosur t`i linin vajzës së vogël emrin e qytetit gjerman ku ajo ka lindur. Meqë qyteti  Krefeld ka emër të gjinisë mashkullore, ata i kishin shtuar atij një -a dhe vajza u pagëzua “Krefelda”. Me këtë emër, prindërit refugjatë donin të shprehnin mirënjohjen për pritjen e ngrohtë që u është bërë në Krefeld, shkruan albinfo.ch. Por, zyra civile e qytetit nuk  e kishte pranuar këtë “nderim”: e kishte hedhur poshtë pagëzimin e vajzës me emrin special. Megjithatë, prindërit kanë të drejtë të ushtrojnë ankesë dhe në rast se e bindin gjykatën, mund edhe t`u lejohet ky emër.

Mediat gjermane sqarojnë me këtë rast se ndër shqiptarët është diçka normale t`u lihen fëmijëve emra qytetesh , lumenjsh dhe vendesh. Prandaj një ekspertizë bindëse mbi këtë temë mund të ndryshojë qëndrimin e autoriteteve…