Lajme

Nëntë vjet shtet, shumë zhgënjime

Nëpër sheshet e kryeqytet shihen më pak njerëz duke festuar, për faktin se disa nga ta janë të zhgënjyer me klasën politike, sidomos për mungesë perspektive dhe për papunësi të madhe

Qytetarët e Kosovës sot festojnë 9 vjetorin e Pavarësisë, të shtetit të më ri të Evropës. Përkundër entuziazmit, kosovarët vazhdojnë të mbesim qytetarët më të izoluar të Evropës, prandaj shumica presim që viti i ardhshëm, jubilar për vendin, të jetë më i begatshëm dhe ta gjej vendin me liberalizim vizash.

Nëpër sheshet e kryeqytet shihen më pak njerëz duke festuar, për faktin se disa nga ta janë të zhgënjyer me klasën politike, sidomos për mungesë perspektive dhe për papunësi të madhe. Kosova nuk ka Ushtri të sajën, ndërsa ka 6 vjet që negocion me Serbinë, ndërsa problemet me serbët po shtohen për çdo dit.

“Dolëm me shokë ta mbysim monotoninë. Ka humbur kuptimi i gjithëçkahit edhe i pavarësisë. Nuk e kemi menduar kështu”. Deklaroi një djalë, rreth 30 vjeç, i cili me disa kolegë të tij, po ulej në restorantin “Rings”, në sheshin Nënë Tereza.

Derisa ky fliste, një tjetër kolegë “ulurite” , duke i sharë liderët institucionalë, që e kanë lënë vendin të izoluar.

Në anën tjetër, liderët institucionalë “krenohet” me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, si hapin e parë drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Me gjithë ngecjet në funksionimin e saj si shtet, për këto nëntë vjet, Kosova identifikohet në botë me shumë figura të sportit e kulturës, si “ambasadorët” më të mirë të saj.

Xhudistja Majlinda Kelmendi, është kurorëzuar me titullin kampione bote dhe kampione olimpike. Shumë futbollistë nga Kosova, sot janë idhuj të adhuruesve të sportit më të popullarizuar, qoftë në Zvicër, Shqipëri deri në skandinavi, shkruan REL.

Kurse, në botën e muzikës, Kosova sot admirohet në mbarë botën kur përmenden emrat si Rita Ora, Dua Lipa apo Era Istrefi.

Ndërsa në rrafshin e brendshëm, Kosova ka stagnuar në gjumë aspekte. Ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi për kufirin, është tema që ka bllokuar të gjitha zhvillimet. Ka më shumë se 18 muaj që Kosova sillet brenda këtij rrethi vicioz, dhe nuk po arrin të dal jashtë saj. Demarkacioni mbetet kush për liberalizim vizash, sikurse kusht mbetet edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit

Në raportin e fundit të Transparency International, Kosova renditet vendin e 95-të, në mesin e 178 vendeve të vlerësuara. Luftimi i kësaj dukurie është po ashtu kusht që Kosova të marrë liberalizimin e vizave.

Me një rritje ekonomike prej rreth 4 për qind, Kosova nuk po arrin të zbus papunësinë dhe varfërinë.

Sipas shifrave zyrtare, shkalla e papunësisë në Kosovë arrin në 26.2 për qind. Kurse, për çdo vit, në tregun e punës hyjnë 25 deri 30 mijë të rinj. Ndërkohë që shifrat jo zyrtare, flasin për një shkallë shumë më të lartë të papunësisë.

Analisti politik, Imer Mushkolaj thotë se Kosova sot nuk është vendi për të cilin kishin ëndërruar qytetarët e saj.

“Po t’i pyetnim qytetarët e Kosovës kur u shpall pavarësia se si e shohin Kosovës pas nëntë vjetësh, nuk do të thoshin se do ta shihnin kështu siç është tash, fatkeqësisht. Nëntë vjet nuk janë pak për zhvillimin e një shteti, respektivisht për zgjidhjen e disa problemeve me të cilat ne ballafaqohemi ende në mënyrë kronike. Gjatë këtyre viteve janë zhvilluar ekonomikisht dhe në aspektin social më shumë vetë politikanët se sa që janë zhvilluar qytetarët”, tha ai.

Ai tha se se Kosova pas 9 vitesh, ende nuk e është tamam shtet, në kuptimin e integritetit dhe territorial, mirëpo edhe integritetit dhe politik e juridik.

“Ne vazhdojmë të ballafaqohemi me çështje thelbësore siç janë papunësia e madhe dhe mos zhvillimi ekonomik. Ndërkohë që politikanët vazhdojnë ta kenë plot gojën pavarësi, shtet. Unë besoj që gjatë këtyre nëntë vjetëve, ka mundur të punohet më shumë. Kjo nuk është bërë. Mund të shkojnë dhe nëntë vjet tjera, mirëpo me këtë mendësi politike, me këtë klasë politike nuk do të ndodh fatkeqësisht asgjë”, tha ai.

Edhe Driton Selmanaj, nga “Demokracia Plus”, tha për KPress se Kosova në kontekstin e brendshëm ka një lloj destabiliteti dhe polarizim të skajshëm të skenës politike, në vend që të ndodhte e kundërta. Ndërsa edhe politika e jashtme, sipas tij, sikur ka ngel në vend, po vend numëron.

E, siç thotë Selmanaj, nëse krejt kësaj i shtohet dhe problemi tjetër, që Kosova ka që nga shpallja e pavarësisë, e që është shtrimi i sovranitetit të plotë në tërë territorin e republikës së Kosovës, tregon që përkundër që po hyjmë në dekadën e parë të shtet ndërtimit, Kosova po ballafaqohet me sfida të cilat nuk janë lehtë të kalueshme.

“Akoma Kosova vazhdon të jetë në stadin alarmant të korrupsionit, krimit të organizuar, shëndetësi për toke, arsim jo cilësor, vende të reja të punës pak shumë. Perspektiva e këtij vendi ose shpresa e të rinjve për të gjetur vend pune, akoma nuk është e nivelin të duhur. Ata akoma e shohin daljen jashtë si të vetmen perspektivë për jetën e tyre. Akoma nuk e shohin Kosovën si atdhe të tyre që ofron perspektivë dhe jetë të dinjitetshme. Unë mendoj që kjo klasë politike, dhe jo vetëm kjo klasë politike, duhet të bëjë investimin maksimal që të kthejë besimin e qytetarëve në institucione dhe në vet projektin e shtetit”, tha Selmanaj.

Edhe deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e partisë opozitare AAK, Rrustem Berisha, thotë se kjo nuk është asfare Kosova për të cilën luftuam.

“Në krahasim siç kemi qenë nuk është keq. Por, ku kemi pas me arrit nuk jemi dhe aty mirë. Mendoj se kemi pasur mundësi shumë më shumë për të bërë, për shtetin, popullin tonë. Rezultatet nuk janë me u lavdërua aq shumë. Sepse realisht nuk është ajo Kosovë për çka kemi luftua… Është papunësi e madhe, zhvillimi ekonomik është i dobët, arsimi nuk është mirë. Nuk ka zhvillim ekonomik pa arsim të mirëfilltë. Sundimi i ligjit po ashtu nuk është në nivelin e duhur. Mendoj se nuk është një sferë që kishim muajt me u lavdërua”, tha Berisha.

Ndryshe, Kosova më 17 shkurt 2008, pas një protektorati ndërkombëtar, 9 vjeçar shpalli pavarësinë, duke i e ndarë në 7 shtete ish Jugosllavinë. Deklarata e pavarësisë, u bazua në Planin Gjithëpërfshirës të presidentit finlandez Marti Ahtisaari, si dokument i koordinuar mes autoriteteve të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian, që e njohën shtetin e Kosovës. Pavarësinë e Kosovës deri më tani e kanë njohur 112 shtete.