Diaspora dhe pavarësia: mes shpresave dhe iluzioneve

Nga burgjet, te pavarësia

Ne në mërgatë jemi larg atdheut, ne nuk kemi vitet e burgjeve që keni ju, as përvojën e betejave që keni ju, ende shokët e mi, por sot, në kohën e qarkullimit të shpejtë të informatave, jemi po aq aty sa janë edhe ministra, zëvendës ministra dhe deputetë

Ishte viti 1985/1986. Isha në Burgun e Gjurakovcit. Ishin edhe 21 deri 25 të tjerë si unë, që mbaheshim pse kishim kërkuar avancimin e statusit të Kosovës në republikë. Në mesin e tyre edhe dy dëshmorë të ardhshëm të kombit – Ali Ajeti dhe Rrahman Dini. Në mesin e tyre edhe themelues dhe ushtarë të ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës  – Nait Hasani, Ramë Buja, Raif Qela, …Disa prej tyre edhe funksionarë të lartë të shtetit të ardhshëm të Kosovës, deputetë të Kuvendit të Kosovës apo edhe përjetësisht luftëtarë të lirisë pa funksione e pa merita formale si Behxhet Imishti për shembull. Burgu ishte shndërruar në universitet në ato vite. Në mëngjes studiohej histori, filozofi, gjuhë, letërsi… Pasdite lexohej dhe sidomos komentohej shtypi dhe ngjarjet aktuale politike. Ndonjë tjetër merrej me diç “jashtëtokësore” për rrethanat e burgut, siç merrej Ramadan Veliu me astronomi dhe unë me algjebër, analizë dhe gjeometri për shembull…

Rrahman Dini (gjatë luftës çlirimtare Komandant “Bali” i Zonës së Gollakut) shquhej për çiltërsinë e tij. Përbënim një dyshe, që studionte dhe analizonte bashkë. Ishim edhe bashkëmoshatarë. Rrahmani kishte një shpirt bilur. Ishte i çliruar nga të gjitha ideologjitë. Ideologji të vetme kishte lirinë e vendit….  Një ditë më pyet: “Cili është plani yt për çlirimin e Kosovës?”. I them se plani im është i gjatë. Ne jemi vetëm pjesë e këtij plani. Unë e shoh çlirimin e Kosovës si një proces… Nëse do të punojmë vazhdimisht dhe do të arrijmë që për çështjen tonë të fitonim edhe përkrahjen e grupeve të caktuare të popujve të tjerë të ish – Jugosllavisë, atëherë do ta kemi Kosovën të çliruar (atëherë me Kosovë nënkuptonim edhe viset shqiptare nën Maqedoni, Serbi dhe Mal të Zi)… Rrahmani u kthye dhe më pyeti: “Po sa do të zgjasë ky plan yti?”. Disa dekada, ia kthej unë… “Unë nuk kam kohë aq gjatë. Unë  – siç thotë Sylejman Tafili, personazhi i “Lumit të Vdekur” të Jakov Xoxës”  – do të bëhem me dreqin e të birin vetëm e vetëm ta çliroj Kosovën”… Zhvillimet e hovshme të ngjarjeve i dhanë të drejtë Rrahmanit. Kushtet për shpërthimin e  revoltës popullore nuk pritën as dy dekada. Kosovën e përfshiu zjarri i luftës çlirimtare. Në krye të saj shumë prej burgut- universitet të Gjurakovcit. Në mesin e tyre patjetër edhe Rrahman Dini, që nuk mundi ta shijojë gjatë lirinë. Vdiq si pasojë e një ftohje të thellë të marrë gjatë viteve të luftës…

Ramë Buja, në Republikën e Kosovës, krahas funksioneve të shumta, ushtroi edhe funksionin e ministrit të Arsimit të Republikës së Kosovës. Sugjerimeve të mia, të bëra me shkrim, për domosdoshmërinë e ndryshimeve dhe reformave në sistemin tonë arsimor përfshirë edhe arsimin në mërgatë nuk iu përgjigj asnjëherë. Qartazi dukej se Ramës i ishte bërë mendja firifiu ashtu sikur edhe shumë të tjerëve të udhëheqjes së Kosovës së pavarur. Pushteti dukej qartë se disave nga burgjet – universitet kishte filluar t’ua zvetënojë mendjen. Arsimin, që ishte futur në trajektoren e rënies së lirë, nuk e shpëtoi dot as ish-shoku im Ramë Buja edhe përkundër disa përpjekjeve të mira të kolegut të tij paraardhës, Enver Hoxhajt, si ajo e futjes së provimit të semimaturës dhe të maturës…

Edhe dy ende shokët e mi të tjerë të burgut – universitet të Gjurakovcit, deputetë të tashëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përkundër asaj se nuk hodhën firmat e tyre në disa ligje, që Kosovën do ta kthenin te “dreqi e i biri”, janë më të heshtur seç dua t’i shoh unë, më pak të gatshëm për të kontaktuar dhe për të marrë ndonjë sugjerim sado i pavlerë qoftë ai, më të “zënë me punë” aq sa për të mos mundur të të takojnë e të të shkruajnë më… Druaj se aureola e të pushtetshmëve mund t’i lë edhe ata pa dritën e duhur të syve ashtu si ministrin e dikurshëm të arsimit…

Ne në mërgatë jemi larg atdheut, ne nuk kemi vitet e burgjeve që keni ju, as përvojën e betejave që keni ju, ende shokët e mi, por sot, në kohën e qarkullimit të shpejtë të informatave, jemi po aq aty sa janë edhe ministra, zëvendës ministra dhe deputetë. Ne jemi me mendje aty dhe kemi përvojën e punës dhe të jetës të shteteve të zhvilluara, prandaj mos na injoroni. Mos injoroni bazën tuaj, sepse aty merrni forcën shtytëse të punës për t’i dhënë trajtë trajektores së lëvizjes së Kosovës drejt prosperitetit.

Aureola e të pushtetshmëve                          

Edhe dy ende shokët e mi të tjerë të burgut – universitet të Gjurakovcit, deputetë të tashëm të Kuvendit të Republikës së Kosovës, përkundër asaj se nuk hodhën firmat e tyre në disa ligje, që Kosovën do ta kthenin te “dreqi e i biri”, janë më të heshtur seç dua t’i shoh unë, më pak të gatshëm për të kontaktuar dhe për të marrë ndonjë sugjerim sado i pavlerë qoftë ai, më të “zënë me punë” aq sa për të mos mundur të të takojnë e të të shkruajnë më… Druaj se aureola e të pushtetshmëve mund t’i lë edhe ata pa dritën e duhur të syve ashtu si ministrin e dikurshëm të arsimit…

Ky opinion është shkruar enkas për alnbinfo.ch*

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/nga-burgjet-te-pavaresia/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.