E-Diaspora

Nga Shqipëria në Gjermani, enkas për të “marrë hakun”

Viktima kishte vrarë në vitin 2011 një familjar të dy të akuzuarve. Pas vuajtjes së dënimit, ai nga frika e hakmarrjes kishte ikur së bashku me familjen në Gjermani ku ishte strehuar si azilkërkues. Por gjakmarrja e ndoqi edhe atje...

Sipas ekspertizës distanca në mes të armës dhe të vrarit ka qenë më e vogël se një metër. Me fjalë tjera, shqiptari 46 vjeçar është ekzekutuar nga afërsia e drejtpërdrejtë në Visselhövede nga bashkatdhetari i tij 24 vjeçar i cili po gjykohet në Gjykatën e Landit në Werden. Dy plumba vdekjeprurës e kanë qëlluar viktimën në kokë, shkruan nord24.de.

Ndërsa drejt tij në ditën kritike, sipas akuzës, më 9 janar 2017 ishin shkrepur gjithsej 9 plumba, transmeton albinfo.ch. Dorasi kishte qenë në një motoçikletë të cilën po e ngiste një familjar i tij 23 vjeçar, i cili është po ashtu i akuzuar në këtë proces.

Viktima kishte vrarë në vitin 2011 një familjar të dy të akuzuarve. Pas vuajtjes së dënimit, ai nga frika e hakmarrjes kishte ikur së bashku me familjen në Gjermani ku ishte strehuar si azilkërkues.

Ditën e kobshme ishte duke ecur rrugës kur pranë tij ishte ndaluar një motoçikletë, transmeton albinfo.ch. Personi që ishte ulur pas ngasësit të motorit i ishte drejtuar dhe e kishte qëlluar 46 vjeçarin me armë.

Ai ka udhëtuar nga Shqipëria me qëllimin për të kryer gjakmarrjen, është e bindur pala akuzues. Por deri tash nuk ka qenë e mundur të identifikohen gjurmë që do ta dëshmonin synimin dhe krimin e tij.

Procesi vazhdon të enjten.