Kultura

Nik Xhelilaj flet për gratë, partnerin në film dhe gjermanishten e tij

Në një intervistë për express.de, Xhelilaj flet për rolin e tij në film, gratë, për jetën në Gjermani dhe për gjuhën gjermane. “albinfo.ch” ua ofron gjithë intervistën të përkthyer në gjuhën shqipe

Deri më tash atë nuk e ka njohur askush në Gjermani. Por, jeta e tij do të ndryshojë. Kreshnik “Nik” Xhelilaj (33 vjeçar) është “Winnetou” i ri. Aktori shqiptar do të shfaqet në tri pjesë në RTL:  (25,27,29 dhjetor) dhe është duke ndjekur gjurmët e aktorit të ndjerë Pierre Brice. Në një intervistë për express.de, Xhelilaj flet për  rolin e tij në film, gratë, për jetën në Gjermani dhe për gjuhën gjermane. “albinfo.ch” ua ofron gjithë intervistën të përkthyer në gjuhën shqipe.

Sa jeni i privilegjuar që luani  Winnetoun?

Kënaqësi e madhe! Winnetou është një privilegj shumë i madh. Në fillim nuk e kam kuptuar fare se sa i rëndësishëm është ky film në Gjermani. Tani e di, çfarë do të thotë Winnetou për njerëzit dhe për mua. Në Shqipëri Winnetou nuk ka ndonjë rol të rëndësishëm. Ne ishim për kohë të gjatë një shoqëri komuniste, dhe gjithçka perëndimore ishte e paprekshme. Kjo është fatkeqësi. Do të doja shumë që si fëmijë ta kisha lexuar librin për Winnetoun.

A keni pasur mundësi të njiheni me Pierre Brice para se të vdiste?

Fatkeqësisht jo. Të njëjtën ditë kur unë e kisha audicionin tim të parë, ai kishte vdekur. Kjo është shumë pikëlluese. Do të kisha dashur me shumë qejf të pija një kafe dhe të bisedonim rreth rolit. Në fakt unë nuk preferoj ta kopjoj, por një bisedë me të, do të ishte vërtet interesante.

Shumica e shikueseve nuk ju njohin. Si do ta përshkruani veten?

Unë jam Niku nga Shqipëria. Në vitet e fundit kam jetuar në gjysmën e Evropës. Unë e pëlqej atë që e bëj.

Ju dukeni madhështor në rolin e Winnetout, keni një trup shumë të formuar sidomos pjesa e barkut, shumë e fortë.  Sa vështirë e keni pasur për të mbajtur dietë?

Sinqerisht t’ju them:  Është shumë e vështirë për ta menduar. Veçanërisht në 15 ditët e para, pastaj ju mësoheni me atë sistem, mirëpo në asnjë mënyrë nuk guxoni të hani karbohidrate. Por, unë e falënderoj Zotin për këtë mundësi të domosdoshme, përndryshe kurrë nuk do të kisha ushtruar kaq shumë dhe trupi im nuk do të dukej kështu.

Çka keni ngrënë menjëherë pas filmit?

Kemi shkuar me Wotanin te shtëpia e tij në Këln dhe kemi pirë nga një gotë verë. Në shishe shkruante  „Blutsbrüder-Wein“. (Verë – Vëllezër të gjakut). Pastaj ai e ka përgatitur ai një biftek argjentinas të mrekullueshëm.

Jeni po ashtu edhe në jetën reale shokë?

Absolutisht! Nëpërmjet filmit ne kemi krijuar miqësinë tonë. Ne jemi bërë vëllezër të vërtetë të gjakut. Unë gjithmonë kam një siguri tek Wotani, kur ai mendon seriozisht. Ai i sheh gjërat shumë me qartë se sa unë. Ai më ka mbështetur plotësisht në situatën time të re. E di se atë mundem ta thërras në çdo kohë. Apo ndoshta ai do të më telefononte mua, sepse ai e di, kur unë kam nevojë. Gjithmonë thirrjet e tij më gëzojnë. Ai kurrë nuk më ka mërzitur të bisedoj me të. Kjo është diçka e veçantë.

Thuajse secila femër që ju shikon si Winnetou, menjëherë shikon edhe pjesën e epërme të trupit tuaj.  A kanë shanse shikueset apo tashmë jeni dhënë?

Jo, në këtë moment nuk ka të dashur. Nëse unë njoh një femër të mrekullueshme, natyrisht se do të jetë mrekulli. Por ia lë kohës se kur do të vijë. Nuk kam një tip special të femrës. Më pëlqejnë femrat e thjeshta, ashtu siç janë në të vërtetë.

Ju jetoni që prej tetë muajsh në Gjermani. Sa keni arritur të mësoni gjuhën gjermane deri më tash?

Vazhdoj gjithmonë e më mirë. Jam shpërngulur në lindje të Berlinit, dhe aty kam një banesë. Prej tre muajsh jam i zhvendosur totalisht në Gjermani dhe po e ndjek një kurs të gjuhës në një kolegj popullor. I bëj detyrat me shumë zell. Aktualisht jam më i miri në kurs, por edhe të tjerët janë të huaj. Me nevojitet më shumë shoqëri me gjermanë për të mësuar më mirë gjuhën gjermane. Intervistën e ardhshme do ta bëjmë plotësisht në gjermanisht.