Kultura

Nis edicioni i 37-të i Seminarit të gjuhës shqipe në Prishtinë

Në ambientet e Fakultetit të Filologjisë është bërë hapja solemne e punimeve të Seminarit  XXXVII Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ku morën pjesë edhe zyrtarë të shumtë institucionalë.

Dekanja e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, tha se pas 36 edicioneve të mbajtura, ky Seminar prapë mbetet forumi më gjithëpërfshirës i studimit shkencor dhe i mësimit të gjuhës, letërsisë dhe të kulturës shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Seminari i 37-të i Albanologjisë shënon një moment të posaçëm për kombin shqiptar, pasi që në kohë të errëta të kombit, ky seminar ka shpërndarë një dritë të shqipes në botë.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast falënderoi të gjithë studiuesit e deritanishëm për kontributin e tyre. E ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, tha se albanologjia ka luajtur një rol të vyer në konsolidimin e kombit shqiptar dhe se është përgjegjësi e Kosovës dhe e Shqipërisë të mbështesin ngjarje të tilla.

Drejtori i Seminarit, Rrahman Paçarizi, i cili ka thënë se në 44-vjetorin e themelimit Seminari i ka përmbushur në tërësi objektivat e veta. Punimet e këtij Seminari do të mbahen nga 20- 31 gusht.