Kultura

Nis Festivali Ndërkombëtar i Teatrove

Drejtori i këtij festivali, Ilir Tafa, ka thënë se arsyeja e mbajtjes së tij është mungesa e festivaleve ndërkombëtare aktualisht në Kosovë

Në Prishtinë sonte fillon Festivali Ndërkombëtar i Teatrove ”Prishtina International Theater Festival – PITF 2017”, i organizuar nga Kolegji AAB, dhe teatri “Faruk Begolli” që funksionon në kuadrin e kolegjit, i cili do të zgjasë deri më 21 të këtij muaji.

Drejtori i këtij festivali, Ilir Tafa, ka thënë se arsyeja e mbajtjes së tij është mungesa e festivaleve ndërkombëtare aktualisht në Kosovë.


”Jemi të parët që do ta kemi një festival ndërkombëtar. Do t’i kemi 7 shfaqje të cilat do të jenë nga Kroacia, Bullgaria, Kosova dhe Irani”, është shprehur Tafa, duke shtuar se një shfaqje nga Kroacia do të hapë këtë festival.

Drejtoresha artistike e këtij festivali, Burbuqe Berisha, ka thënë se ky është festivali i parë që jep mundësi të ballafaqohemi edhe me artet e kulturat e ndryshme teatrore që vijnë nga rajoni, edhe nga bota.