Lajme

Nishani i jep nënshtetësinë shqiptare Ramush Haradinajt

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani ka dekretuar këtë të hënë dhënien e shtetësisë shqiptare për ish-komandantin e UÇK-së, Ramush Haradinaj, dhe bashkëshorten e tij, Anita Haradinaj

Pavarësisht se ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ndodhet në Francë, në bazë të një fletarrestimi lëshuar nga Serbia, presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani ka nxjerr një dekret me të cilin i jep nënshtetësinë shqiptare, Haradinajt dhe bashkëshortes së tij, Anita Muçaj-Haradinaj.

Ish-kryeministri  dhe njëri nga komandantët më në zë të UÇK-së, Ramush Haradinaj është në pritje të vendimit të gjykatës franceze të Colmarit për ekstradimin ose jo të tij në Serbi. Ai më 4 janar u arrestua në aeroportin Bazel-Mulhouse, në bazë të një fletarresti lëshuar nga Serbia. Kjo e fundit e akuzon Hardainajn për krime lufte.

Haradinaj dy herë është gjykuar nga Tribunali Penal i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi dhe dy herë u shpall i pafajshëm. Arrestimi në Francë ka ngjallur reagime të mëdha në Kosovë, madje Kuvendi i Kosovës nëpërmjet një rezolute ka pezulluar bisedimet me Beogradin, derisa Haradinaj të kthehet në Kosovë.