Integrimi

Një ceremoni me pjesëmarrje të gjerë dhe plot emocione

Një surprizë e bukur ishte ardhja në këtë ceremoni për të interpretuar disa këngë dhe pjesë muzikore, e kantautores së mirënjohur shqiptare, Elina Duni

 

 

Në mbrëmjen e të enjtes, më 22 qershor, në restorant “L’esprit”, Basel, në Zvicër,  u organizua ceremonia tradicionale e përmbylljes së  vitit shkollor 2017,  e përfundimit të kurseve, projekteve dhe programeve si dhe e dorëzimit të çertifikatave përkatëse. Së bashku me pjesëmarrësit dhe drejtuesit e kurseve ishin të pranishëm edhe drejtues dhe anëtarë të Bordit Drejtues të Këshillimores Shqiptare në Basel (ABSM), përfaqësues nga institucione kantonale dhe vendore në Basel, nga kompani dhe OJQ partnere, kursantë e prindër të fëmijëve te kopshtit të fëmijëve të ABSM-së, etj.

Platforma albinfo.ch, duke zhvilluar një aktivitet në fushë të integrimit, që nga themelimi i saj ka përcjellë në vazhdimësi punën e ABSM-së. Ajo ishte e pranishme edhe në këtë aktivitet.

Një surprizë e bukur në pasditen e të enjtes ishte ardhja në këtë ceremoni për të interpretuar disa këngë dhe pjesë muzikore, e kantautores së mirënjohur shqiptare, e cila prej shumë vitesh jeton dhe punon në Zvicër, Elina Duni. Ajo, këndimin e ka shoqëruar me instrumentet si piano, kitarë dhe def (daire), me të cilat ka ekzekutuar vetë.

Moderimin e programit e bëri e beri Greta Rama (punonjësa/nxënësja e e cila përfundon shkollimin e saj pranë ABSM-së gjatë këtij viti) ndërsa fjalën përshëndetëse e mbajti zëvendës kryetari i Bordit Drejtues të ABSM-së, Besim Pajaziti. Ai përshëndeti pjesëmarrësit dhe instruktorët e kurseve për rregullsinë e zhvillimit të tyre, për përpjekjet e lavdërueshme për të përfituar sa më shumë njohuri dhe aftësi si dhe për rezultatet e mira të arritura nga shumica e tyre.

Pajaziti theksoi se viti që u përmbyll u karakterizua nga një rritje e numrit të kursantëve nga shumë vende të botës, sidomos nga ato të përfshirë në luftra civile si dhe nga një nivel më i lartë i përqindjes vlerësuese për shumë prej tyre.

Anëtarët e Bordit Drejtues të ABSM-së, me kryetar prej rreth 20 vjetësh themeluesin e saj, Skender Nikoliqin, së bashku me grupin punues shqiptaro zviceran, kanë arsye dhe motiv që të ndihen të gëzuar edhe për faktin se gjatë vitit shkoollor  2016/2017 në kurse morën pjesë më shumë djem e vajza nga Kosova, Shqipëria dhe trevat e tjera shqiptare në Ballkan. Më e rëndësishmja është se ata u shquan për rregullsi në frekuentim dhe për përpjekje këmbëngulëse për rezultate sa më të mira në teori dhe praktikë, për t’u bërë sa më të aftë dhe të pavarur në ushtrimin e profesioneve të përfituar nga kurset e ABSM-së.

Në vijim z.Pajaziti falenderoi për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë për mbarëvajtjen e kurseve kompanitë dhe OJQ-të partnere si: Qendra e Edukimit profesional për fëmijë e të rritur në Basel-Qytet , Departamenti i edukimit Basel, Departamenti i Asistencës sociale Basel-Qytet, Zyra Basel-Qytet,  Fondi Swisslos, Fondacioni Merian Christoph, Fondacioni Hertner,  Qendra e Diversitetit dhe Integrimit në Basel-Qytet, Qendra e Këshillimit për të huaj GGG në Basel, zyrat e ndryshme komunale te regjionit te Baselit etj.

Pastaj drejtuesit dhe instruktorët e kurseve: Arijanita Muça, Dominique Carbernard, Gerry Hubacher, Remco Fischer, Mauro Riccardi dhe Jan Eberhardt u shpërndanë pjesëmarrësve që i përfunduan me sukses provimet me shkrim dhe gojë çertifikatat përkatëse. Për ata u dhanë edhe çmime dhe trëndafila.

Pas shpërndarjes së certifikatave atmosfera u ndez së tepërmi nga dy pjesë muzikore të interpretuara me nivel të lartë artistik nga këngëtarja Elina Duni.

Në vazhdim pjesëmarrësit u njohën me programin e kurseve dhe të veprimtarive të tjera për vitin 2017-2018.

Ditën e shtunë, më 24 qershor në kompleksin sportiv Schützenmatte (Sportstadion Schützenmatte, General Guisan-Strasse 29, 4054 Basel) do të organizohet si në çdo vit të mëparshëm veprimtaria komplekse  dhe me jehonë jo vetëm në qytetin dhe kantonin e Baselit, “Sporti flet një gjuhë”.

Nga mesi i muajit gusht fillojnë  kurset e gjuhës gjermane “Aspecta” (kurse të gjuhës gjermane dhe të integrimit për gratë me përkujdesje për fëmijë);  “Konkret” (kurse të gjuhës gjermane dhe të integrimit për adoleshentë dhe te rritur): “Takimi” (kurse te gjuhës gjermane për gratüe shqipfolëse, me përkujdesje për fëmijë); kurse komunikimi me perkujdesje për fëmijë; kurse për fëmijë “gjermanishtia për fëmijët në moshë para kopshtit” në nivelet A1-B2.

Gjatë koktejit përgatitur nga restorant “L’esprit” dhe pjesëmarresit/kursantët që i përfunduan mesimet ne ABSM me ushqime dhe pije tradicionale zvicerane dhe nga shumë vende të tjera, kangtautorja e mirënjohur Elina Duni ekzektoi disa këngë të tjera në disa gjuhë, nga repertori i saj i pasur, i njohur dhe vlerësuar jo vetëm nga publiku shqiptar. Kështu edhe ceremonia e këtij viti, ashtu siç është bërë prej kohësh një traditë e bukur e ABSM, u përjetua nga të gjithë pjesëmarrësit si një festë e bukur dhe emocionuese.