Kosova

Një i dyshuar për xhihadizëm në mesin e të dëbuarve në Kosovë

Ai, sipas autoriteteve gjermane është identifikuar si një person që ka provuar të udhëtonte për në Siri. Ndërsa katër të tjerë janë bartur në aeroport drejtpërdrejt nga burgu

Në mesditën e të mërkurës, nga Aeroporti “Franz-Josef Straus” i Munihut janë transportuar për në Aeroportin “Adem Jashari” të Perishtinë 38 kosovarë. Të gjithë ata kanë qenë azilkërkues me status të refuzuar të azilit nga Zyra Federale për Migracion dhe Refugjatë (BAMF).

Vetëm 16 prej tyre, sipas Ministrisë së Brendshme të landit të Bavarisë, para riatdhesimit kanë qenë me qëndrim në Bavari.

Në mesin e të riatdhesuarve ka qenë edhe një “person i rrezikshëm”, siç e përshkruan policia gjermane, transmeton albinfo.ch mediet gjermane. Ai, sipas njohurive të autoriteteve gjermane është identifikuar si një person që ka provuar të udhëtonte për në Siri. Ndërsa katër të tjerë janë bartur në aeroport drejtpërdrejt nga burgu ku kanë qenë duke vuajtur dënimin.

Të riatdhesuarit tjerë janë grumbulluar nga landet (republikat) tjera për t`u riatdhesuar nga Aeroporti i Munihut, transmeton albinfo.ch.

Aeroplani në fjalë ka bërë pastaj një aterrim në Vjenë ku ka marrë me vete edhe kosovarë tjerë, për numrin e të cilëve nuk bëhet e ditur.