Kultura

Një hap drejt jetësimit të ëndrrës për botën pa kufij

Diar Xani, aktori nga Prishtina, po e jeton atë që për shumicën e kolegëve të tij kosovarë mbetet ëndërr: aktrimin në një teatër evropian

Me Diar Xanin takohemi në orët e vona të mbrëmjes, në Bundesplatz të Bernës. Ai sapo ka mbaruar provat teatrore. Thotë se ato ia marrin tërë kohën nga dreka e deri në orën e vona të mbrëmjes. Dhe kjo, çdo ditë. Një punë e mundimshme, e lodhshme edhe fizikisht, por që “në fund të ditës” të ofron satisfaksionin e punës së kryer me përkushtim. Kjo është përditshmëria e punës që Diari ka njohur në Bernë të Zvicrës, në teatrin “Schlachthaus” ku gjendet prej pesë muajsh.

Por si ka ndodhur që ai të vijë në Zvicër, në Bernë? Gjithçka ka filluar në Berlin, në një festival teatror të mbajtur para dy vitesh.

“Në vitin 2009 kam marrë pjesë në një festival teatror në Berlin, në mesin e nja 50 vetave, aktorë, regjisorë e producentë nga shtete të ndryshme. Unë kam qenë i vetmi pjesëmarrës nga Ballkani. Këtu jemi njohur me dramaturgen Maike Lex, e cila tashmë ka edhe postin e bashkëdrejtueses së teatrit “Schlachthaus” në Bernë. Pasi ka parë performancën time si aktor, ajo më ka propozuar te regjisorja e shfaqjes Christina Rast, për të më angazhuar në shfaqjen që tani e luajmë. Këtë rol ma ka propozuar që para një viti”, tregon Diari.

Teatri “Schlachthaus”, që është njëri ndër dy teatrot më të rëndësishëm të Bernës, ndjek prej disa vitesh një praktikë të sjelljes së një aktori nga jashtë dhe inkuadrimit të tij në ekip. “Këtë vit jam unë, i huaji mysafir ose “artisti në rezidencë” siç e quajnë këtu. Jam angazhuar në një rol në shfaqjen komedi “Bluetsuuger” (“gjakpirësi”, në dialektin zviceran).

© albinfo.ch Gjatë provave

Drakula, në versionin komik

Bëhet fjalë për një version komik dhe bashkëkohor të bazuar në motivin e njohur të Drakulës. “Edhe personazhi që luaj unë vjen nga Transilvania, vendlindja e vampirit Drakula. Me fjalë tjera unë luaj rolin e një drakule komik. Në mënyrë të tërthortë, tema e shfaqjes ka të bëjë me të huajt, pozitën e tyre në shoqërinë pritëse”. Dhe faktikisht, Diari është i huaji i vetëm, edhe si aktor por edhe si personazh, në mesin e tre aktorëve tjerë, të tre zviceranë.

“Të përmend se njërin nga gjithsej katër rolet në shfaqjen tonë e luan aktori shumë i famshëm për publikun televiziv gjerman e zviceran, Mathis Künzler. Ai ka luajtur rolin kryesor në serialin e popullarizuar të para disa viteve “Verliebt in Berlin”. Dhe me të kemi një miqësi të mirë. Është shumë i afërt dhe i thjeshtë, siç dinë të jenë artistët e vërtetë”, vëren Diari.

Si i huaj që jam, fillimisht kisha probleme, sidomos me dialektin zviceran (schweizerdeutsch). Unë e njoh gjermanishten sepse në kohën e luftës si fëmijë kam jetuar rreth tre vjet në Gjermani”, sqaron Diari. Por tash problemet janë zbutur. Jo se Diari ka mësuar dialektin por për faktin se rolin e tij e kanë përshtatur në gjermanishten letrare.

Prania e tij në një rreth që për të është i ri, rreth me traditë të pasur teatrore, ia imponon që të bëjë edhe krahasime me punën që bëhet në teatrot në Kosovë. Dhe këtu ai gjen mjaft dallime.

© albinfo.ch Me kolegët e shfaqjes: Anja Tobler, Grazia Pergoletti, dhe Mathis Künzler

Puna me përkushtim dhe debatet e frytshme

“Te ne mund të ketë aktorë edhe më të mirë se këtu. Po ashtu edhe me profilet tjera teatrore nuk jemi keq. Por stimulimi, vlerësimi që këtu i bëhet punës së secilit, është i pakrahasueshëm me atë që ndodh në teatrot e Kosovës apo edhe teatrot shqiptare në përgjithësi. Këtu gjithçka punohet me përkushtim. Për secilin detaj të tekstit, të shfaqjes, sado i imët që të duket, këtu debatohet shtruar, gjerë e gjatë, deri sa të sqarohet me rrënjë. Kjo më bën përshtypje dhe më pëlqen. Dhe, kur punohet me kaq përkushtim, nuk ka se si të mungojnë rezultatet”, shton Xani, pa e fshehur se ende nuk e ka lëshuar magjia e punës në një teatër perëndimor. 

Aktrimi në një teatër “të vërtetë“ (evropian), përbën një ëndërr të secilit aktor shqiptar. Diar Xani, aktori afër 30 vjeçar nga Prishtina, është duke e jetuar këtë ëndërr. “Unë e konsideroj veten jashtëzakonisht me fat që po punoj në këtë teatër dhe me persona kaq të nderuar”, thotë ai.

Përtej kësaj, duke qenë një lloj pionieri në rolin e aktorit të ardhur nga Kosova, Diari ndjen se ka edhe një mision për të kryer këtu. Ai ka shikuar vazhdimisht të gjejë mënyra që, përmes punës së tij këtu, të hapë një derë edhe për aktorët e teatrove nga Kosova.  Gjithsesi, ai është i vetëdijshëm për izolimin dhe kufizimet banale të cilave u nënshtrohen qytetarët e Kosovës.

Por megjithatë, diçka duket se do të niset  mbarë. “Në këtë teatër më kanë propozuar që të përzgjedhim dhe të sjellim këtu, në Schlachthaus një shfaqje në gjuhën shqipe nga Kosova. Atë mund t`ua propozoj unë ose do ta përzgjedh vetë dramaturgia, me të cilën së shpejti mund të shkojmë në Kosovë për këtë qëllim. Po ashtu jemi në bisedime edhe me Ambasadën

Kosovare, këtu në Bernë, në bashkëpunim me “Schlachthaus Theater” për një projekt të ardhshëm. Po planifikojmë që, bashkë me regjisoren e shfaqjes ku luaj unë, të bëjmë një kurs teatri për fëmijët shqiptarë të Bernës me rrethinë. Të shohim si do të ecin punët…”

 Në Cyrih

Biografi

Diar Xani ka diplomuar në Fakultetin e Artit Dramatik, dega e aktrimit, në Tetovë. Tani ai është duke ndjekur vitin e 3-të në Fakultetin e Arteve, drejtimi regji, në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2009, Diari me filmin “Kuleta” regjinë dhe skenarin e të cilit e kishte bërë vetë, ka fituar çmimin për Filmin më të mirë kosovar, në Festivalin e Filmit dhe të Teatrit “Skena UP”.Ai ka luajtur në një numër dramash dhe filmash të realizuar në Kosovë dhe në Shqipëri. Është asistent regjie në filmin “Heroi” të Luan Kryeziut.

Premiera dhe reprizat

Premiera e komedisë “Bluetsuuger” jepet më 28 maj, duke filluar në orën 20.30. Shfaqja që jepet në Schlachthaus Theater Bern, është në koproduksion me Theatrin Winkelwiese Zurich, dhe me Teatrin Rampe në Stutgartt – Gjermani. Pas premierës do të jepen edhe reprizat, më 29 maj, 2, 3, 4, 5 qershor. Nga 11 deri më 16 korrik do të jepen disa repriza në Theater Rampe, në Stutgartt të Gjermanisë.

Pastaj nga 26 – 29 tetor dhe 2 – 5 nëntor shfaqja do të reprizohet ne Theater Winkelwiese Zürich.