Integrimi

Një imam shqiptar që lufton islamin ekstrem dhe një tjetër që bekon Tunelin e Gothardit

Në një bllok portretesh të atyre që përfaqësojnë myslimanët në Zvicër, gazeta prestigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) bën portretet edhe të dy imamëve shqiptarë: Mustafë Memetit dhe Bekim Alimit. Albinfo.ch boton pjesë nga këto portrete.

“Shumë myslimanë në Zvicër janë të njohur nga mediat. Por islami në vendin tonë është shumë i fragmentuar dhe dobët i organizuar. Kush e përfaqëson kë dhe me çfarë mbështetje? Një vështrim jo i plotë”, prezanton NZZ bllokun tematik.

“Islami në Zvicër po infektohet nga forca konservatore ashtu siç infektohet një trup i shëndoshë nga virusi i gripit, thotë Mustafë Memeti, imam në “Shtëpinë e religjioneve”, në Bernë.
Sa i përket qartësisë, fjalët që flet Mustafüë Memeti rrallë ndonjëherë lënë gjë për të dëshiruar: Frika e përhapur në popull nga zgjerimi në Zvicër i një islami konservator e të prapambetur, është gjithsesi e arsyeshme, konstaton imami i Bashkësisë Islame Shqiptare të Zvicrës në zyrën e tij në Shtëpinë e Religjioneve në Bernë. Këtu, nën një kulm të përbashkët kanë hapësirat e tyre fetare pjesëtarë të pesë besimeve botërore: myslimanët, të krishterët, hebrenjtë, budistët dhe hindusët, të cilët kultivojnë dialogun ndërfetar, shkruan nzz.ch. Shtëpia, një institucion unik në botë, ka funksion të modelit në qasje me bashkëjetesën e religjioneve, e cila në këtë shtëpi funksionon jo vetëm nga pikëpamja teorike por edhe praktikisht, transmeton albinfo.ch Jashtë saj, një gjë e tillë ndjehet më pak, dhe për këtë Memeti i bën bashkëpërgjegjës vëllezërit e tij nga feja. Ai shikon me brengosje se si personalitete të caktuara paraqiten si përfaqësues zyrtarë të islamit ndërkohë që shumica e besimtarëve ata mund t`i njohin vetëm nga mediat dhe që kanë fare pak ose aspak mbështetje.

Nuk është vetëm IZSR…
Islami në Zvicër po infektohet nga forca konservatore ashtu siç infektohet një trup i shëndoshë nga virusi i gripit, thotë Mustafë Memeti., përcjell albinfo.ch. Fakti se nuk angazhohen teologët, e bën problemin më të mprehtë, thotë ai, pasi që kjo çon te një prezantim të motivuar politikisht të Kuranit, i cili nuk ka mbështetje shkencore.
Nuk është vetëm IZSR e njohur si organizatë radikale, përgjegjëse për këtë gjendje. Dhe këto zhvillime negative nuk janë prezentë vetëm në xhamitë tashmë të njohura si ato të Bazelit, Gjenevës ose Winterthurit, por edhe në xhami dhe shoqata që nuk janë në fokus të opinionit publik.
Më tutje imami Memeti citohet të ketë thënë se burka është vetëm një traditë e një regjioni të caktuar ndërsa në Kuran nuk qëndron detyrimi që gratë të mbulojnë fytyrën. Dhe nëse ndalimi i burkas ka kuptim si masë parandaluese kundër radikalizimit kërcënues ose jo, sipas Memetit, duhet t`i lihet policisë dhe politikës ta gjykojë. Kjo çështje, thotë ai, nuk përbën preokupim për islamin. Për këtë çështje bën të diskutohet pa kufi, por për Memetin është e qartë: gratë duhet ta tregojnë fytyrën e tyr, përcjell albinfo.che. As në pjesëmarrjen e vajzave në mësimin e notit dhe në detyrimin për shtrëngimin e dorës në shkollë, ai nuk e sheh as problemin më të vogël.
Me këto qëndrime të qarta, Memeti është në përputhje me popullatën e shqetësuar zvicerane. Ai e përfaqëson besimin e tij me bindje dhe me gjithë zemër por e shpreh edhe atë që shumë jomyslimanë e mendojnë edhe pse nuk e thonë. Dhe kjo pozitë e tij prej ndërmjetësuesi në mes “dy botëve” i ka sjellë atiuj para dy vitesh titullin e “Zviceranit të Vitit” që gazeta “Sonntags-Zeitung” e ndan për çdo vit.

Memetin e zemëron modeli i argumentimit të disa përfaqësuesve të fesë së tij, të cilët, veprojnë ndryshe, duke përdorur mbulesën e lirisë fetare dhe demokracisë. Ai thotë se është detyrë e imamëve që me qëndrimin e tyre të fortë, t`ua tregojnë myslimanëve perspektivat e tyre në Zvicë r dhe t`i sqarojnë prioritetet: Demokraci, liri, rregull, siguri, tolerancë, stabilitet ekonomik- këto janë vlerat pa të cilat myslimanët nuk mund të çojnë një jetë të kuptimshme e të barabartë dhe nuk mund të ushtrojnë as religjionin e tyre”, thotë Mustafa.

Bekim Alimi,  myslimani që bekoi Tunelin e Gothardit

Keystone

“Nga të gjithë myslimanët e këtushëm, ai kishte prezantimin më të madh në vitin 2016: Rreth një milion e gjysmë shikues, vetëm në televizionin e Zvicrës gjermane e kanë ndjekur solemnitetin me rastin e hapjes së tunelit të ri bazik të Gothardit – dhe me atë rast ata kanë parë edhe Bekim Alimin në veprim, shkruan nzz.ch. Së bashku me klerikët tjerë ai e bekoi veprën zvicerane të shekullit dhe e luti Allahun për siguri dhe vëllazëri, përcjell albinfo.ch. “Ua lehtëso rrugën atyre që na e kanë lehtësuar udhëtimin ne dhe na mundëson që ne t`ua lehtësojmë të tjerëve udhëtimin”, tha ai me atë rast.

U përgjigjet akuzave dhe distancohet nga radikalizmi e dhuna
Vetë Alimi ka shumë udhëtime pas vetes. Ai vjen nga Tetova, Maqedoni dhe ka studiuar në Kajro teologjinë dhe filozofinë. Në vitin 1988 është shpërngulur në Zvicër, ku prindërit e tij jetonin nga vitet `70. Në vitin 1999 ai e mori drejtimin e xhamisë shqiptare në Wil, një qytet i vogël i Kantonit St. Gallen. Nga ajo kohë Bekimi ka bërë një emër si bartës i një islami të moderuar. Në intervista të shumta dhe në qindra paraqitje publike ai i ka nënvizuar anët paqësore të religjionit të tij ndërsa xhihadistët i ka mallkuar si joislamikë, përcjell albinfo.ch. Por mediat vazhdimisht ia imputojnë atij gjuhën dykuptimëshe. Kështu, ai ka pozuar në një fotografisë bashku me një imam të njohur si urryes të hebrenjve. Në një video ai na paraqitet së bashku me një predikues të kontestuar kosovar.  Por asnjëherë ai nuk ka lejuar që këto t`i mbeten si njolla: secilën herë është distancuar qartë nga radikalizmi e dhuna.
Një pikë ku Alimi është më i fokusuar është puna me të rinjtë. Ai e konsideron arsimin si çelës për një integrim të suksesshëm. Në përputhje me këtë, xhamia e tij ofron mësim plotësues për nxënësit me prejardhje nga Maqedonia dhe Kosova.
Së shpejti, bashkësia islame e Alimit do të shpërngulet nga hapësirat modeste në një zonë industriale të Wilit. Për pranverën që vjen është planifikuar hapja e xhamisë së re, transmeton albinfo.ch. Godina impozante me kupolë kushton rreth pesë milionë franga, të cilat thuhet të jenë grumbulluar nga donacionet. Para nga Arabia Saudite nuk kanë rrjedhur, thonë në këtë bashkësi,.