Made in Kosova

Një Kosovë e vogël në shitoren ushqimore në Zvicër

“Një Kosovë e vogël, i bëra një stendë të veçantë në shitore me flamur”, kujton Refiku ardhjen e produktit të parë kosovar në Cyrih

Produktet të cilat prodhohen në Kosovë, ndonëse me shumë vështirësi, kanë arritur të depërtojnë në tregun zviceran. Paragjykimet se  këto prodhime nuk janë cilësore dhe nuk mund të jenë konkurruese me produktet zvicerane, kanë filluar të zhduken, bëjnë të ditur ata që i shesin nëpër marketet e tyre nëpër Zvicër.

Refik Syli mban mend se kur kishte filluar punën me marketin në Schlieren të Cyrihut, nuk kishte asnjë nga produktet kosovare.

Edhe pse në një skaj të qytetit, marketi i shqiptarit me origjinë nga Pasjaku i Gjilanit frekuentohet nga të gjitha nacionalitetet, e më shumë nga shqiptarët ngase tani në raftet e tij ka me dhjetëra produkte nga Kosova në mesin e mbi 1 mijë produkteve nga të gjitha vendet e Ballkanit.

  • Prodhimet e para kosovare, nga viti 2011

Ishte i veçantë për afaristin nga Kosova viti 2011 kur në marketin e tij arrin produkti i parë nga Kosova. Ishte “vegeta”, produkt nga qyteti i Ferizajt. “Një Kosovë e vogël, i bëra një stendë të veçantë në shitore me flamur”, kujton Refiku ardhjen e produktit të parë kosovar në Cyrih.

Pastaj, nga 2012 vijnë një nga një turshitë nga Kosova, produkte këto shumë të kërkuara në tryezat e shqiptarëve sidomos gjatë dimrit. “Tashmë është gjithçka më lehtë, atëherë ishte shumë i vështirë transporti i tyre”, thekson Syli duke numëruar me krenari produktet që ua sjell bashkëkombësve të tij në Cyrih: kafe, çaj, ajvar, turshi etj.

Janë dhjetëra markete në Zvicër që menaxhohen nga shqiptarët, thotë ai, duke vënë theksin në  rritjen e cilësisë së produkteve të vendlindjes. “Ende ka mangësi, sidomos në ambalazhin e produkteve dhe në afatin që u skadon pas më shumë se 6 muajve edhe pse iu shkruan 2 vjet”, tërheq vërejtjen Syli.

  • Tash mallin nuk e shet malli për vendlindjen por kërkohet cilësia

Konsumatorët më herët i blinin këto produkte vetëm për shkak të mallit për vendlindjen, mirëpo tani po kërkojnë edhe cilësi, tregon Syli, që është edhe menaxheri këtij biznesi familjar dhe i një fabrike të prodhimit të mishit.

Jo vetëm kaq, ai importon edhe qengja pollogu të Tetovës për t’i furnizuar restorantet me mish në Zvicër. Nga viti 1996, Syli menaxhon një fabrikë me produkte të mishit në Regensdorf.

Refiku bashkë me tregtarë tjerë shqiptarë do të realizojnë një vizitë në Kosovë për të parë nga afër prodhimin e produkteve me potencial eksporti në Zvicër. Vizita e tillë do të organizohet nga ambasadat e Zvicrës dhe Gjermanisë në Prishtinë.

Nga kjo vizitë karvanit të eksportit të produkteve në Zvicër mund t’i shtohen edhe shumë të tjera…

Ende ka mangësi

“Ende ka mangësi, sidomos në ambalazhin e produkteve dhe në afatin që u skadon pas më shumë se 6 muajve edhe pse iu shkruan 2 vjet”, tërheq vërejtjen Syli. Konsumatorët më herët i blinin këto produkte vetëm për shkak të mallit për vendlindjen, mirëpo tani po kërkojnë edhe cilësi, tregon Syli nga shitorja Metzgerei Refik.

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/nje-kosove-e-vogel-ne-shitoren-ushqimore-ne-zvicer/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.