Lajme

Një muaj “Albaniadë” në Kukaj të Prishtinës

Për shkak të interesimit të madh të publikut të të gjitha brezave dhe në veçanti të bashkatdhetarëve, edicioni i sivjetmë mbahet çdo fundjavë përgjatë tërë muajit gusht e shtator

Duke filluar më 3 gusht deri më 11 shtator, për çdo fundjavë në fshatin Kukaj të Prishtinës, qytetarët do të kenë mundësi të ndjekin programin kulturor të edicionit të shtatë të  festivalit “Etnofest”.

Sipas një njoftimi për shtyp nga ana e organizatorit, për shkak të interesimit të madh të publikut të të gjitha brezave dhe në veçanti të bashkatdhetarëve, edicioni i sivjetmë mbahet çdo fundjavë përgjatë tërë muajit gusht e shtator.

“Meqenëse kriza shqiptare e këtyre viteve mbi të gjitha, është krizë identitare dhe krizë sociale, kemi vendosur që në këtë edicion krahas prezantimit të vlerave të mirëfillta t’i shoqërojmë ato me debate dhe konferenca shkencore me specialistë të domeneve të ndryshme si etnologë, linguistë, antropologë, arkeologë, arkitektë e urbanistë, sociologë të kulturës, artistë dhe hulumtues shkencorë, gjithnjë në interaksion me

“Etnofest” është festival i veçantë që promovon vlera nga fusha e kulturës tradicionale dhe të arteve që në një formë apo tjetër lidhen me traditën dhe  trashëgiminë e materiale.

Sipas organizatorit njëra nga temat qendrore e këtij edicioni do të jetë: kultura, arti dhe trashëgimia e regjionit të Hasit duke filluar nga veshja, ritet, vallet dhe kulinaria si dhe botimet nga kjo trevë me pasuri të madhe etnografike. Kjo tematikë e “Etnofest”-it do të pasurohet edhe me dy ekspozita skulpturash të cilat mbajnë të njëjtin emër: “Hasjanet”.

Po ashtu në kuadër të festivalit është paraparë të ketë edhe ekspozita të arteve pamore dhe tnoeksponateve, veshje tradicionale me sfilalta kostumesh moderne frymëzuar nga tradita; rite arkaike, këngë dhe valle nga etnoansamble dhe etnogrupe nga shumica e trojeve shqiptare; art të kulinarisë tradicionale shqiptare; punëtori kreative të artizanaleve të vjetra në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës; biseda dhe kuvendim odash që lidhen me artin dhe rregullat e të folurit; pjesë teatrore; filma dokumentarë që lidhen me traditën; punëtori muzikore të bazuar mbi muzikën tradicionale si bazë për krijimin e një muzike te re; promovime librash etj.

Ndryshe, në kuadër të “Etnofest”, gjithashtu mbahet edhe festivali tjetër “Albaniada”, i cili përfshin lojërat tradicionale popullore.

“Albaniada” në fakt është atraksioni më i pëlqyer nga mërgimtarët, pasi që nostalgjikët aty mund të ndjekin gara dhe lojëra të vjetra popullore, këngë dhe valle me karakter garues, veshje popullore, rite dhe ekspozita artefaktesh nga jeta baritore e malësorëve shqiptarë etj.