Shqipëria

Një pjesë e kokainës, e kapur në Durrës, do të shkonte në Zvicër e Gjermani

Dyshohet se “grupet e fuqishme nga Kosova” në Zvicër porositën një pjesë nga 613 kilogramëve të kokainës që u sekuestrua javë në parë në portin e Durrësit në Shqipëri. Përveç Zvicrës, një pjesë e saj kishte si treg kryesor kryeqytetin e Gjermanisë, Berlinin.

E përditshmja kosovare “Koha Ditore” shkruan se grupe të fuqishme nga Kosova që operojnë në tregun e kokainës në shtetin zviceran janë porositësit e një pjese të kokainës, e për këtë po dyshon grupi hetimor i çështjes ‘Kokaina” që po hetohet në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, përcjell albinfo.ch.

Prokuroria thotë se udhëtimet e shpeshta të Donald Lushajt, shofer i kamionit që transportonte kontejnerin për në Kosovë, me dy automjete të ndryshme, ishte një nga shkaset që çuan deri te dyshimet e para.

Donald Lushaj e Armando Pezaku janë arrestuar nga policia, ndërsa për pronarin e kompanisë është shpallur arrest ndërkombëtar.