Kosova

Një shkollë në Kosovë, me vetëm 1 nxënës dhe 1 mësues

Në shkollën fillore të Burrnikut të Ferizajt, askush nuk e prish qetësinë në klasë, ngase aty janë vetëm Albioni 9 vjeç dhe mësuesi Milaim Hasani

Shkollën “Imri Halili” në Burrnik të Ferizajt, e cila ka dy klasa, prej disa vjetësh kanë mbetur boshe. Në njërën prej tyre çdo ditë zë vend Albion Veliu, nxënës i klasës së katërt, ndërsa në klasën tjetër janë vetëm kërrigat, tavolina dhe dërrasa e zezë. Askush nuk e prish qetësinë në klasë, ngase aty janë vetëm Albioni 9 vjeç dhe mësuesi Milaim Hasani.

Objekti i shkollës i plotëson kushtet teknike dhe higjienike. Ai është riparuar më 2006-n me një investim 40 mijë eurosh, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por, shkolla është e zbrazët, teksa Albioni ndihet i vetmuar. Ai prej më shumë se një viti nuk e ka takuar ndonjë bashkëmoshatar.

“Sa herë që e mbajmë orën e edukatës fizike ndihem i shqetësuar dhe më i vetmuari në Komunën e Ferizajt, sepse nuk e kam asnjë shok të ma pasojë topin apo anasjelltas, madje edhe pas orarit të mësimit nuk e kam asnjë shok për të luajtur së bashku. Të jetosh i vetmuar në një fshat malor siç është Burrniku, është sikur të jetosh në skajin e botës”, ka thënë Albioni, i cili është dekaluar vetëm pasi këtë e ka lejuar babai i tij, Shaipi.

Albioni ka dëshirë që klasat e tjera të mund t`i vijojë me moshatarët e vet, ndonëse nuk është i sigurt nëse kjo do të mund të bëhet realitet. Lëvizja e qytetarëve nga fshati i qytet, por edhe rruga e kurbetit, ka lënë shumë shkolla të boshatisura, ndërsa kjo e Burrnikut është vetëm njëra nga to.