Tematike

Njerëzit me sfond migrimi përballen me sfida më specifike

Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Cornelia Meierhans, (bashkëpunëtore profesionale në fushën e parandalimit, psikologe MSc) lidhur me ofertën që psy.ch ka për qytetarët e Bernës me prejardhje të huaj

“Ne të gjithë duhet të përballemi me situata sfiduese. Njerëzit që kanë një përvojë të migrimit, duhet të zotërojnë sfida më specifike. Por, më pak varet nga migrimi se sa nga mundësitë e personit, se si u qaset atyre. Është për shembull me rëndësi që në ambientin ku jeton, të kuptosh: A e flas unë gjuhën në mënyrë që të mund të komunikoj? Çfarë pritet nga unë? Si dhe ku mund të marr ndihmë? Kushdo që i di përgjigjet për këto pyetje, mund të kujdeset më mirë për mirëqenien e vet”, thotë veç tjerash Cornelia Meierhans.

Albinfo.ch: a mundeni të na e bëni një përshkrim të shkurtë të ofertës suaj për migrantët ?

Cornelia Meierhans: Institucioni për shëndetësi i Bernës punon nën juridiksionin e Kantonit të Bernës. Detyrat tona kryesore janë: promovimi i shëndetësisë, parandalimi, pedagogjia seksuale si dhe këshillimi dhe terapia te rastet e varësive. Në kuadrin e temës së shëndetit mental ne punojmë së bashku me institucionet ashtu sikurse edhe me nënat dhe baballarët. Qëllimi është se si të mbështeten fëmijët e rritur dhe të rinjtë në zhvillimin e tyre.

Albinfo.ch: Në cilat gjuhë është në dispozicion oferta juaj?

Cornelia Meierhans: Ne punojmë me të gjitha grupet gjuhësore dhe angazhojmë, sa herë që është e nevojshme, edhe përkthyes profesionalë. Me nënat dhe etërit me prejardhje të huaj, ne punojmë shpeshherë në kontekstin e grupeve prindërore, gjegjësisht me grupet e nënave ose të etërve apo edhe me grupe të tjera të organizuara.

Albinfo.ch: Sa  (shpesh) shfrytëzohet kjo ofertë nga migrantët?

Cornelia Meierhans: Përmes rrjetit tonë të shoqatave të migrantëve në Kantonin e Bernës dhe personave kontaktues të komuniteteve të ndryshme, ne i qasemi një numri në rritje të njerëzve me prejardhje të huaj. Kjo për ne përbën një preokupim të rëndësishëm pasi që ky grup njerëzish shpesh përfiton më pak se popullata zvicerane nga ofertat publike. Në grupin tonë të etërve ne punojmë së bashku me një grup burrash shqiptarë, (albinfo.ch e ka prezantuar).

Albinfo.ch: Ku ndryshon shëndeti mental i migrantëve në Zvicër nga ai i vendësve? Cilat janë përvojat tuaja në këtë drejtim? 

Cornelia Meierhans: Ne të gjithë duhet të përballemi me situata sfiduese. Njerëzit që kanë një përvojë të migrimit, duhet të zotërojnë sfida më specifike. Por, më pak varet nga migrimi se sa nga mundësitë e personit, se si u qaset atyre. Është për shembull me rëndësi që në ambientin ku jeton, të kuptosh: A e flas unë gjuhën në mënyrë që të mund të komunikoj? Çfarë pritet nga unë? Si dhe ku mund të marr ndihmë? Kushdo që i di përgjigjet për këto pyetje, mund të kujdeset më mirë për mirëqenien e vert.

Albinfo.ch: Cilat janë ankesat tipike migratore që paraqiten më shpesh?

Cornelia Meierhans: Shpeshherë përjetohet si një përvojë mbështetëse kur dëgjon nga njerëz të tjerë për situatat e tyre të rënda dhe kur me ta mund të këmbesh përvojat lidhur me vështirësitë tua. Kur sfidat kanë të bëjnë me migracionin, atëherë pikërisht ky këmbim mes njerëzish me përvoja të ngjashme është shumë i rëndësishëm. Në kohën para, gjatë dhe pas migrimit, njerëzit ndjehen të shumtën e rasteve të përforcuar. Ata ndjejnë se përdorin shumë energji për këtë ngjarje (migrimin) dhe të shumtën e rasteve janë të bindur se ia vlen. Pas njëfarë kohe, vjen një fazë e përshtatjes kur lindin pyetje ekzistenciale në lidhje me profesionin dhe ambientin shoqëror. Identiteti i deritashëm duhet të zgjerohet. Për shembull nuk je më “vetëm” shqiptar-e por në ambientin e ri duhet të ridefinohesh sërishmi. Kjo mund të shkaktojë stres. Në këtë fazë mund të paraqiten një numër në rritje sëmundjesh mendore të cilat duhen trajtuar. Më vonë kësaj i shtohet edhe një fazë pikëllimi, në të cilën bëhet ndarja nga atdheu dhe çdo gjë tjetër që lidhet me të. Por me këtë ende nuk është përmbyllur procesi i migrimit. Edhe brezat pasues vazhdojnë të përballen me përvojën e migrimit.

Albinfo.ch: A ka ndryshime në këtë kontekst në mes të komuniteteve të ndryshme të huaja?

Cornelia Meierhans: Ne, parimisht nisemi nga e dhëna se secili njeri ka përvojat e veta dhe megjithatë gjithmonë ndan me njerëzit tjerë përjetime dhe veçori që lidhin. Kjo ndodh pavarësisht nga përkatësia një grupi etnik. Sigurisht, në raport me migrimin, është e mundur që një grup etnik të ketë pasur shkaqe të ngjashme me një grup tjetër, për braktisjen e atdheut dhe këtu përballet me sfida të ngjashme. Për shembull, aktualisht ka shumë refugjatë nga zonat e luftës, të cilët në bazë të statusit të tyre të qëndrimit, njohurive gjuhësore dhe arsimimit të tyre duhet të kalojnë shumë sfida që të mund të sigurojnë financiarisht jetën e tyre në Zvicër. Dhe, kjo jetë e vetëpërcaktuar dhe e pavarur përbën një bazë të rëndësishme për të ndjerë veten mentalisht të shëndetshëm.

Albinfo.ch: Siç mund të kuptohet, shumë migrantë ngurrojnë, turpërohen që të flasin me ekspertët lidhur me problemet që kanë. Çfarë d t`u thoshit ju këtyre?

Cornelia Meierhans: Shumicës së njerëzve u vjen rëndë që t`u drejtohen ekspertëve lidhur me problemet e tyre personale. Është me rëndësi në këtë rast të dihet se ne kemi si detyrim të ruajmë konfidencialitetin (heshtjen). Shpeshherë ndihmon edhe vetë biseda e hapur lidhur me vështirësitë që ke. Ndërkaq për një ndryshim afatgjatë, kërkohet kohë. Është mirë të dihet se të flasësh mbi problemet tua personale është tregues i fuqisë tënde.

Albinfo.ch: Çfarë mund të thoni tjetër në lidhje me shëndetin mendor në kontekst të migrimit?

Cornelia Meierhans: Tema e shëndetit mendor po fiton gjithnjë e më tepër vëmendje. Kjo ndihmon edhe në drejtimin që njerëzit tash marrin më tepër guxim që të flasin lidhur me gjendjen dhe sfidat e tyre. Kjo, nga pikëpamja jonë përbën një ndryshim me shumë vlerë. Kur ne flasim më hapur lidhur me atë që na preokupon, mund t`u qasemi më mirë edhe sfidave. Në këtë mënyrë jeta jonë ndryshon drejt pozitives. Kjo vlen për të gjithë njerëzit, me dhe pa sfond migrimi.

Në faqen www.psy.ch/shqip përshkruhen 10 hapa drejt shëndetit mendor. Këto informacione janë të dizajnuara që të ndihmojnë të gjithë njerëzit për t`u marrë me mirëqenien e tyre dhe për t`i bërë vetes një të mirë.

Më tepër lidhur me ofertat e “Berner Gesundheit” mund të gjeni në: www.bernergesundheit.ch.