Integrimi

Nju-Jork: “Darka Gala Mbarëkombëtare e Diasporës Shqiptare”

Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit do të kanë mundësinë të takohen me kongresistë, senatorë, përfaqësues të Institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe me kompanitë liderë në tregun e Amerikës

Rrjeti i Bizneseve Shqiptare të Diasporës ka njoftuar se më datën 24 dhe 25 shtator në Nju-Jork do të mbahet “Darka Gala Mbarëkombëtare e Diasporës Shqiptare”, duke filluar nga ora 18.00 .

Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare funksionon në katër kontinente, në gjithsej 22 shtete të botës. Ky forum i pari për nga rëndësia, përcakton vullnetin e përbashkët për bashkëpunim të mbi 600 afaristëve të botës së biznesit nga mbarë diaspora: Kosova, Shqipëria dhe viset e tjera shqiptare.

“Aty do të lidhen kontakte dhe njohje të reja, do të promovohen kompanitë e tyre, do të mund të lidhen kontrata bashkëpunimi dhe do të jepen ide për investime të përbashkëta në fusha të rëndësishme në trojet shqiptare për zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe shkëmbimi i mendimeve bashkë me politikat aktuale në Amerikë, Kosovë dhe Shqipëri”, thuhet në njoftimin e Rrjetit të Bizneseve shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit do të kanë mundësinë të takohen me kongresistë, senatorë, përfaqësues të Institucioneve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe me kompanitë liderë në tregun e Amerikës.