Lajme

Nuk pret fitim të shpejtë, është përgatitur për maratonë

Fehmi Fetahi, Vali Ranch": "Nëse do të mendonim për kthim të shpejtë investimesh, atëherë ne nuk do të investonim fare në Kosovë"

Janë të shumtë ata që në konferencat për tërheqjen e investitorëve të diasporës në Kosovë, flasin me shifra të mëdha dhe “investojnë” pa kursim. Por realiteti kosovar po tregon se  numri i investuesve po vendnumëron.

Fehmi Fetahi është në mesin e të paktëve që ka investuar në Kosovë dhe që vazhdon të investojë. Kompleksi i tij rekreativ, turistik e sportiv “Vali Ranch” në kodrat mbi Përlepnicë të Gjilanit e ka valorizuar regjionin ku është vendosur dhe ka ndikuar jo pak edhe në ndryshimin e perceptimit të turizmit dhe rekreacionit në Kosovë.

Dikush e ka quajtur investim “për t`u dukur” e dikush tjetër “është brengosur” se ky biznes nuk sjell bukë por Fehmi Fetahi me bashkëshorten Sara dhe me partnerët nuk e ka ndërprerë asnjëherë punën. Ka 7 vite që ai vazhdon me ngulm realizimin e ëndrrës së tij.

Investimet, nga tetori deri në maj, “të korrat” katër muaj verë

“Unë investoj çdo vit, nga tetori deri në maj, kur fillon funksionimi i kompleksit dhe ndërpriten punimet deri në fund të shtatorit. Investimet e mia nuk dihet kur ndalen”, thotë Fehmi Fetahi. Ndërsa kur flasim për investimet në “Vali Ranch” apo edhe në përgjithësi  në Kosovë, ai thotë se  duhet t`i harrojmë fitimet e shpejta.

“Nëse do të mendonim për kthim investimesh në afat të shkurtër, atëherë ne nuk do të investonim fare në Kosovë”. Prandaj, Fetahi është i përgatitur për maratonë. Ai pranon se investimet e tij të deritashme ende nuk e kanë nxjerrë “përmbi ujë”. Por, shpreson Fetahi: “një vend si Vali Ranch që po u pëlqen të gjithëve `nuk ka qare` pa sjellë fitim një ditë”.

Deri në 400 punëtorë

E deri atëherë, ai e ushqen “Vali Ranchin” me injeksione financiare nga Zvicra. Këtu Fetahi me të shoqen ka në pronësi kompaninë e suksesshme “Fetaxid”, e cila merret me shtrimin e dyshemeve speciale të holeve të ndryshme.

“Fetaxid” ekziston pre 26 vitesh, nga viti 1989. Këtu kemi rreth 60-70 punëtorë, rreth 95 për qind të të cilëve janë shqiptarë. Veç selisë në Altbüron të Lucernit kemi edhe filialet në Cyrih, Lozanë, Tesinë, Jura etj.”, thotë  Fehmiu.
Ajo që atij i jep satisfaksion në  biznesin e tij kosovar nuk është fitimi, por para së gjithash punësimi i njerëzve.

“Gjatë sezonit kemi deri 150 të punësuar ndërsa jashtë sezonit rreth 70-80. Por nuk duhet harruar se për investimet që “Vali Ranch” i bën rregullisht gjatë sezonit tetor-maj, këtu punojnë rregullisht rreth 20-30 firma. Nëse secila ka nga 10 punëtorë, bashkë me punëtorët e Vali Ranch-it dalin në mes 350 dhe 400 punëtorë”.
Së fundi brenda kompleksit ka filluar ngritja e hotelit me spa (wellnes) dhe e një salle dasmash, të cilat pritet të përfundojnë deri nga maji ose qershori.

Ndryshon pozitivisht perceptimi i regjionit

Por, a ka kërkesa në treg për shërbimet që i ofron ky sektor i ri? Fetahi nuk pohon as mohon. Ai sërish thotë se mendon “në plane afatgjata”. Por, për një gjë ai është i sigurt: “Prejse ka filluar të funksionojë “Vali Ranch” është ngritur vlera dhe ka ndryshuar perceptimi për lokalitetin, komunën dhe regjionin e më gjerë. Tash të rinjtë tanë që vijnë nga jashtë gjatë pushimeve e identifikojnë Gjilanin me Vali Ranchin `Ku është Gjilani? Aty afër Vali ranch-it”, thotë buzagaz dhe me humorin e tij karakteristik Fehmi Fetahi, i cili deri më tash për këtë oazë të tij ka derdhur disa milionë euro.
Ai thotë se në biznes hyhet gjithmonë me rrezik dhe se u ka hyrë këtyre rreziqeve pa ngurruar.

“Korrupsion? Mua kurrë nuk më ka kërkuar kush asnjë cent!”

Lidhur me perceptimin se korrupsioni në Kosovë është një realitet absolut, Fehmiu ka një përvojë krejtësisht tjetërfare: “Është shumë interesante. Gjithandej flitet për korrupsion, flitet për krim të organizuar. Por më besoni, tash 7 vjet që investoj atje, në asnjë rast nuk më është paraqitur dikush për të më kërkuar diçka si mitë apo për të me  shantazhuar. Madje as pengesa të zakonshme burokratike nuk kam pasur. Thjesht, te unë deri tash ka funksionuar gjithçka”, shprehet ai.

Si kryetar i Rrjetit të bizneseve shqiptare, që është themeluar para rreth dy vitesh Fehmi Fetahi thotë se ky rrjet është aktiv dhe po investon në Kosovë. Tash, gjatë pranverës ai do të aktivizohet. “Jemi duke kërkuar investues edhe zviceranë jo vetëm shqiptarë por edhe zviceranë e të huaj. Por, kur jemi te të huajt, duhet të kuptojmë se në mesin e tyre ka hezitime për të realizuar investime serioze në një treg prej 2 milionë banorësh, çfarë është Kosova. Atyre u nevojitet një treg prej së paku 6-7 milionë banorësh dhe për këtë duhet të fusin në kombinim edhe regjionin. Gjegjësisht, krahas Kosovës t`i lidhin në tregun e tre edhe Shqipërinë, Maqedoninë apo edhe Malin e Zi. Në këtë aspekt them se ka nevojë për krijimin e kushteve edhe më të mira për investitorët e huaj që të mos i lëmë të anashkalojnë Kosovën”, përfundon Fehmi Fetahi.