Gjuha

Nxënësit nga Wettingeni i befason babadimri shqiptar

Befasia e këndshme për nxënësit ishte ardhja e Babadimrit shqiptar. Ai kishte sjellë me vete dhurata për më të vegjlit

Në një postim dërguar albinfo.ch animatorja dhe mësuesja Sadete Bojaj Musliu  nga Wettingeni na sjell pamje dhe përshkime nga një vizitë që “babadimri shqiptar” u ka bërë nxënësve që takohen në bibliotekë me animatoren në fjalë. “Kësaj here shprehëm dëshirën që nxënësve të bibliotekës t`u dhurojmë dhurata për festat e fundvitit dhe për Vitin e Ri 2018, thotë Sadetja. “Me këtë rast në mënyrë festive nga nxënësit dhe prindërit u këndua së bashku edhe kënga e Vitit të Ri.

Ndërsa befasia e këndshme për nxënësit ishte ardhja e Babadimrit shqiptar (Fatmir Musliu). Ai kishte sjellë me vete dhurata për më të vegjlit. Kjo u bë e mundur falë Gani Berishës i cili u tregua solidar dhe gëzoi pa masë nxënësit, duke u dhuruar dhuratat dhe duke ju dëshiruar suksese në mësime nxënësve kudo që ndodhen”.

 

Më tutje mësuesja dhe animatorja në fjalë thotë se është vërtet kënaqësi e madhe kur fëmijët e vegjël shqiptarë në Wettingen, së bashku me prindërit janë të rregullt në mësimin shqip, ku me vëmendje shumë të madhe, e dëgjojnë atë duke ju treguar përralla, anekdota, vjersha, këngë, punëdore etj.

Animatorja në fjalë punon edhe në mësimin plotësues si mësuese e gjuhës shqipe në Wettingen. Ajo thotë për albinfo.ch se aktivitetet me nxënës i ka pasion. Mësuesja Sadete ka ambicie për punën e saj, sepse përvojën shumëvjeçare në Prishtinë mundohet sadopak ta dëshmojë përmes punës me nxënës që bën në Wettingen.

Tash e 3 vite Shkolla Shqipe e Wettingenit rregullisht organizon programe të ndryshme me nxënës, për fund vit, përvjetorë, pikniqe nëpër kasolla dhe natyrë, Festën e Flamurit, Festën e Pavaresise, Ditën e Mësuesit dhe të Nënës dhe njëherësh për fundin e vitit shkollor.

“Falë përkrahjes së kryetarit të Këshillit të Prindërve me iniciativën e tij ne me nxënësit ishim edhe në kskursion në Kosovë në pushimin pranveror 1 javor, ku të gjitha ishin gratis. Tani do të vazhdojmë rrugëtimin tonë në Shqipëri, Maqedoni dhe Mali të zi që nxënësit shqiptarë të Zvicres të takohen më bashkëmoshatarët e tyre aty ku frymon shqip”, thotë mësuesja Sadete.