Integrimi

NZZ: Kosovarët e Zvicrës, ndërtues urash në mes të dy vendeve

“175 mijë persona me prejardhje kosovare jetojnë në Zvicër. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet në mes të dy shteteve dhe perceptimi për ta ka ndryshuar rrënjësisht”

Gazeta prestigjioze zvicerane Neue Zürcher Zeitung  në versionin digjital i kushton një bllok tematik 17 Shkurtit, Ditës se Pavarësisë së Kosovës. Ajo bën një radhitje kronologjike të zhvillimeve politike në Kosovë nga viti 1974, kur Kosova fituar autonominë në Federatën Jugosllave e deri në ditët e sotme. Shumicën e këtyre zhvillimeve e ilustron edhe me artikuj të publikuar në po këtë gazetë në kohën kur ato kanë ndodhur.

Po kështu NZZ e boton edhe një bisedë  që korrespondenti i saj për Ballkan, Andreas Ernst e ka zhvilluar me publicistin e njohur nga Kosova, Veton Surroin. “Kosovën duhet ta çlirojmë sërish” mban titullin artikulli.

Në këtë bllok është edhe artikulli me titullin “Kosovarët e Zvicrës ndërtojnë ura” që merret me komunitetin  kosovar në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

“175 mijë persona me prejardhje kosovare jetojnë në Zvicër. Ata luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet në mes të dy shteteve dhe perceptimi për ta ka ndryshuar rrënjësisht”, fillon artikulli prezantimin në dritë pozitive të këtij komuniteti.

“Kur presidenti (i sotëm) i Kosovës Hashim Thaçi më 17 shkurt 2008 rreth orës 15 e 30 në Prishtinë filloi ta lexojë Deklaratën e Pavarësisë, në Helvetiaplatz të Cyrihut shpërthyen brohoritjet festive. Mijëra njerëz ishin tubuar, valëvisnin flamujt e kuq me shqiponjën dykrenore dhe bllokonin trafikun, po ashtu edhe në qytete tjera konvojet e makinave me sirena kishin bllokuar rrugët. Dhjetë ditë më pas Këshilli Federal i Zvicrës njohu Pavarësinë e Kosovës”.

Edhe sot, rreth 175.000 njerëz me prejardhje kosovare që jetojnë në Zvicër luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale në mes të dy vendeve, përcjell albinfo.ch. Këto marrëdhënie janë të shkëlqyera, edhe falë diasporës, thotë ambasadorja e Kosovës në Bernë, Nazane Breca. Që kur, në shtator të vitit të kaluar mori postin, ajo ka takuar numër të madh “kosovaro-zviceranësh” si shkrimtarë, sportistë dhe përfaqësues të diasporës .

Dërgesat e tyre të parave në atdheun e tyre, në Kosovë vazhdojnë edhe sot të kenë një rëndësi ekonomike, thotë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Zvicrës, Stefan von Below. Ndërsa ambasadorja sheh në të ardhmen edhe më shumë potencial ekonomik nga diaspora. “Me ekspertizën e tyre, kosovarët e Zvicrës mund të ndihmojnë që prodhimet tona t`i bëjnë më konkurruese”.

Në vitin 2014 Zvicra ka qenë investitori i tretë më i madh në Kosovë. Por megjithatë vëllimi i qarkullimit tregtar mbetet ende modest. DEZA dhe SECO i kanë ndarë për tre vitet në vijim 85 milionë franga për bashkëpunimin zhvillimor me Kosovën.

Edhe Ushtria e Zvicrës vazhdon të jetë e pranishme në Kosovë, që nga viti 1999, përmes Swisscoy-t. Ndërsa sipas një përgjegjëseje të qendrës profesionale Swissint, janë gjithnjë më të shumtë në numër ushtarët me prejardhje kosovare të cilët shërbejnë në Kosovë me uniformën zvicerane.

Shembulli tregon se sa shumë ka përparuar integrimi i kosovarëve, të cilët tashmë kanë brezin e tretë që jeton këtu, vazhdon nzz. Kështu, ka ndryshuar edhe perceptimi i tyre: ai është larguar tashmë nga imazhi i “azilantëve” dhe “rasteve sociale” dhe është shndërruar në “bashkëqytetarë të integruar dhe punëtorë”, thotë Hamit Zeqiri, kryetar i Konferencës së qendrave profesionale  të Zvicrës për Integrim.

Yjet kosovare-zvicerane si Xherdan Shaqiri kanë dhënë po ashtu një kontribut për këtë ndryshim imazhi, sqaron Zeqiri, i cili ndërkaq në ditën e sotme të pavarësisë nuk sheh shumë arsye për të festuar: “Ka edhe shumë për tu bërë në Kosovë”, thotë ai.