Bota

Opozita, e bashkuar kundër Erdoganit

Zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen më 24 qershor, e gjetën Turqinë të papërgatitur dhe opozita po përballet me vështirësi në paraqitjen e kandidatëve dhe platformave elektorale

Shumë ligjvënës opozitarë turq ndërruan parti të dielën në një demonstrim solidariteti ndërsa rivalët e presidentit Erdogan përpiqen ta sfidojnë atë në zgjedhjet e parakohshme të shpallura prej tij me qëllim që të forcojë pushtetin.

Zyrtarë nga partia republikane e popullit, CHP, thanë se 15 deputetë të saj do t’i bashkohen partisë së qendrës Iyi. CHP, që është edhe partia më e madhe e opozitës, thotë se vendimi, është brenda kornizave demokratike.

Zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare që do të mbahen më 24 qershor, e gjetën Turqinë të papërgatitur dhe opozita po përballet me vështirësi në paraqitjen e kandidatëve dhe platformave elektorale, përcjell albinfo.ch.

Partia Iyi, e krijuar vjeshtën që shkoi, nuk mund të hynte në zgjedhje pasi nuk kishte vende të mjaftueshme në parlament. Pas transferimeve nga CHP, partia Iyi, që do të thotë partia e mirë, ka tani 20 deputetë në parlament, duke plotësuar kriterin e zgjedhshmërisë.

Themeluesja e partisë Iyi, Meral Aksener, një ish-ministre e brendshme, konsiderohet një kundërshtare serioze e Erdogan dhe ka shpallur tashmë kandidaturën e saj. Ajo mund të kandidojë në zgjedhjet presidenciale, pasi 20 deputetët që tashmë i ka, ta propozojnë. Për kandidatët pa parti politike, nevojiten 100 mijë firma.

Një vit më parë, Erdogan me vështirësi fitoi një referendum për ndryshimin e formës së qeverisjes në vend, në një presidencë ekzekutive, duke abroguar zyrën e kryeministrit dhe duke i dhënë presidentit më shumë fuqi. Por, ndryshimi do të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve të radhës.